Shqipëria

KQZ: mënyrat e votimit për emigrantët në zgjedhjet e 25 prillit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka parashtruar dy variante për mënyrën se si mund të marrin pjesë emigrantët shqiptarë në zgjedhjet e 25 prillit.

Njëri nga variantet propozon që emigrantët të cilët duan të votojnë nga shteti ku jetojnë, duhet më parë të regjistrojnë adresën e tyre të banimit në Regjistrin e Gjendjes Civile nëpërmjet portalit “e-Albania”.

KQZ për zgjedhësit jashtë vendit do të mundësojë shërbimin online për të paraqitur kërkesën për të qënë pjesë e listës së votuesve.

Vende si Austria, Bosnjë Hercegovina dhe Sllovenia, janë shembull për këtë model.

Varianti tjetër parashikon që në KQZ të ngrihet një sistem i dedikuar emigrantëve me vendbanim të përhershëm jashtë vendit, të cilët duhet të bëjnë një kërkesë që të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Zgjedhësit jashtë vendit do të identifikohen përmes pasaportës ose kartës së identitetit shqiptar.

Edhe në këtë rast do të regjistrohet vendbanimi i përhershëm.

KQZ do të jetë në bashkëpunim të vazhduar me ambasadat e huaja për të përcjellë mesazhet informuese për procedurën e regjistrimit, mënyrën e votimit dhe protokollet teknike për realizimin e procesit.

Sipas këtij varjanti, afati për përfundimin e procedurave është 11 marsi. Deri më 16 mars, shqiptarët që kanë kërkuar të votojnë nga jashtë Shqipërisë, do të hiqen nga listat e votuesve brenda vendit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore