Lajme

KQZ: 33 shkolla refuzuan mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në Veri, 10 pranuan


Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

33 shkolla kanë refuzuar mbajtjen e votimit në objektet e tyre për procesin e shkarkimit të kryetarëve në Veri më 21 prill.

Kurse, 10 të tjera kanë pranuar që shkarkimi i tyre të mbahet në shkolla, lajmi është bërë i ditur gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga kryetari Kreshnik Ahmeti.

“Drejtorët e shkollave kanë refuzuar t’i japin qasje KKZ-ve në shkolla me pretendimet se në këto shkolla tashmë janë organizuar aktivitete”, deklaroi Ahmeti gjatë mbledhjes së KQZ-së.

Ahmeti ka shtuar se, “pas dorëheqjes së anëtarëve të KKZ-ve ka qenë i vështirë komunikimi me drejtorët e shkollave në Veri”.

Teksa ka sqaruar janë duke punuar intensivisht për të gjetur lokacione alternative.

Në Komunën e Leposaviqit tre shkolla janë të qasshme ndërsa 15 kanë refuzuar, kurse në Zubin Potok, dy janë të qasshme dhe 10 kanë refuzuar.

Në Zveçan, dy janë të qasshme dhe katër kanë refuzuar.

Kurse, në Mitrovicë të Veriut, janë tri të qasshme dhe katër kanë refuzuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e së martës përveç se ka njoftuar anëtarët për dorëheqjen e katër përfaqësuesve të subjektit politik Lista Serbe nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për komunat veriore ka kërkuar që dy subjektet politike të zëvendësojnë anëtarët e dorëhequr.

Katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shkarkohen nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tyre më 21 prill.

Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Veri janë 46 mijë e 248 votues.

Nëse edhe kjo fazë kalon suksesshëm, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE) për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës të vendosura në qershor për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore