Lajme

Kovaçevski: Në mandatin e dytë si kryeministër, paga mesatare do të jetë 1.000 euro, ndërsa minimalja 600 euro


Dimitar Kovaçevski

Dimtar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), ka premtuar se nëse rizgjidhet Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, do ta rrisë pagën minimale deri në 600 euro, dhe po ashtu rritje ka premtuar edhe për pagën mesatare.

Këto komente, Kovaçevski i ka bërë në një fjalim që në qytetin e Shtipit, gjatë hapjes së shtabit promovues të LSDM-së.

“Në mandatin tim të dytë si kryeministër, do të punojmë që ta arrijmë pagën mesatare deri në mbi 1.000 euro dhe pagën minimale 600 euro, dhe ju siguroj se me politikat e duhura është e arritshme”, tha Kovaçevski, transmeton “Tv21”.

“Me punë të palodhur nuk ka qëllim të paarritshëm. Askush nuk besonte se një pagë mesatare prej 500 euro deri në vitin 2024 ishte e mundur dhe e arritshme. Por siç e dini, LSDM-ja e realizoi para kohe atë premtim. Sot paga mesatare është 650 euro. Kështu do të jetë edhe këtë herë”, premtoi ish-kryeministri maqedonas.

Ai shtoi se partia që ai udhëheqë ka bërë ndryshim sistematik afatgjatë edhe për rritjen e pensioneve, sipas tij, aktualisht pensioni mesatar është për 6 mijë 400 denarë më i lartë në krahasim me vitin 2016, ndërsa pensioni minimal për pothuajse 50 për qind më i lartë.

“LSDM-ja mundësoi që pensionistët mesatarisht të marrin 6.000 denarë më shumë”, theksoi Kovaçevski.

Në Maqedoni të Veriut më 8 maj do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Dy parti e mëdha maqedonase, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, do të garojnë për të udhëhequr me ekzekutivin maqedonas, por, sipas disa sondazheve, kjo e fundit është shumë favorite për t’i fituar zgjedhjet.

Nga ana tjetër, kampi shqiptar është ndarë në dy blloqe. Opozita, ku bëjnë pjesë disa parti të vogla (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje), dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore