Lajme

Kostot e keqmenaxhimit të COVID-it në Xi’an të Kinës


Në qytetin kinez Xi’an, të gjithë banorët kanë qenë në izolim dy javët e fundit.

Atje janë vendosur masa të ashpra për të luftuar shpërthimin e rasteve me COVID, me më shumë se 1 mijë e 800 raste të zbuluara deri më tani.

Por autoritetet lokale e fshehin këtë në mënyrë që të mos dëmtohet prestigji i Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Gjithashtu që të shmanget shndërrimi i Festivalit të ardhshëm të Pranverës në të cilin miliona njerëz lëvizin në të gjithë vendin, në një ngjarje të përhapjes së virusit.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se prej hyrjes në fuqi të masave të ashpra që i pengojnë njerëzit të largohen nga shtëpitë për të blerë ushqime, banorët kanë treguar në mediat sociale se furnizimet e tyre kanë mbaruar.

Madje, disa prej tyre kanë përdorur shkëmbimin e telefonave celularë për të siguruar ushqim.

Paçka se punonjësit e qeverisë kanë shpërndarë ndihma, ato s’kanë qenë të mjaftueshme.

Situata është edhe më e rënduar kur bëhet fjalë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Sipas “BBC”-së, një grua që ishte tetë muajshe shtatzënë humbi fëmijën e saj, pasi fillimisht iu refuzua trajtimi në Spitalin Gaoxin për shkak të rregullave të rrepta të COVID-it.

Pas kësaj, autoritetet kanë ndaluar spitalet lokale të refuzojnë pacientët dhe kanë pezulluar drejtorin e spitalit.

Një realitet i koklavitur

Edhe pas dy vitesh me bllokime të ashpra, Kina ende përballet me keqmenaxhimin dhe mungesën e planifikimit.

“Kurrë nuk ka pasur ndonjë diskutim serioz se çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga Wuhan-i, nuk ka pasur asnjë debat. Narrativa ka qenë thjesht për suksesin e modelit kinez kundrejt jo-efektivitetit të parë në demokracitë perëndimore”, ka thënë profesor Yanzhong Huang.

Një situatë e komplikuar që në fund ka çuar në “reagim të tepruar apo tejkalim”.

Kjo ka treguar gjithashtu se, pavarësisht imazhit të fuqisë që projekton Partia Komuniste Kineze, realiteti në terren mund të jetë shumë më i çorganizuar.

Në nivel lokal, qeveria kineze është e decentralizuar, ka thënë një tjetër profesor, Donald Low.

Shumë zyrtarëve lokalë u janë vendosur “qëllime ambicioze për të pasur zero COVID, por me pak burime të qeverisë qendrore” dhe jo shumë fuqi për t’u marrë me një shpërthim kur ai të shfaqet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore