Kosova

Kosovë: Prokuroria heton disa zyrtarë të MSH-së për çështjen e blerjes së vaksinave


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të veprojë dhe sipas tij “të mbrojë interesat e qytetarëve”, pasi e cilësoi si të pavërtetë lajmin e publikuar në media se e ka neglizhuar një kontratë për sjelljen e vaksinave të “Pfizerit” në Kosovë.

Megjithatë, ky organ i akuzës ka sqaruar se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë dhe jo ndaj mediave siç ka kërkuar Vitia të premten.

“Për këtë çështje është hapur rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së dhe se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë, e jo ndaj mediave dhe gazetarëve, ashtu siç është raportuar nga portali në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

Kreu i MSH-së të premten ka theksuar se “shteti s’mund të japë asnjë detaj për procesin e sigurimit të vaksinave kundër koronavirusit”, duke thënë se komisioni i themeluar për këtë çështje është nën betim.

“Sot në vend të një konferencë për të treguar për masat e reja, më duhet të flas për një lajm të pavërtetë, i cili është i dëmshëm për procesin e vaksinave. Lajmi i publikuar është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq”, tha ai.

Madje sipas tij, ata që kanë publikuar të dhënat për sigurimin e vaksinave kanë rrezikuar sigurimin e tyre, e po ashtu shëndetin e qytetarëve”, ka shtuar Vitia.

“Unë e kuptoj kërshërinë e juaj dhe të qytetarëve për data ekzakte, por ne jemi këtu për të punuar për të siguruar sa më shpejt vaksinën. Nuk mund të dalim të dhëna konfidenciale sepse ata janë betuar për konfidencialitet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore