Lajme

Kosovë: Pas presionit publik, dorëhiqet zëvendësministri i dënuar për keqpërdorim me paratë e shtetit


Qazim Rrahmani, ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, vetëm pak ditë pasi është emëruar në këtë pozitë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rrahmani, i dënuar për keqpërdorime me paratë e buxhetit të Kosovës, të martën, përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se ka kërkuar nga kryeministri Kurti lirimin nga detyra e lartpërmendur.

Dorëheqja e Rrahmanit erdhi pas një presioni të madh publik, kur mediat raportuan se ai ishte i dënuar për keqpërdorim.

Rrahmani, njoftimin se është emëruar zëvendësministër e kishte bërë po ashtu përmes llogarisë së tij në Facebook.

“Të nderuar qytetarë, sot kam pranuar vendimin nga kryeministri, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, të cilit më emëruan ministër në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve… Me nder dhe përgjegjësi do të vazhdoj kontributin për vendin dhe qytetarët e Kosovës, respektivisht për komunitetin tim”, kishte shkruar Rrahmani në postimin e tij.

Rrahmani në tetorin e vitit 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ishte vërtetuar se gjatë kohës në të cilën ka ushtruar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke e shfrytëzuar këtë pozitë, ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore në mënyrë që t’i sjellë vetës përfitim pasuror.

Prokuroria pretendonte se Rrahmani, gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela bankare zyrtare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, ka nxjerrë shumën prej 12.363.40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Për këtë vepër ai ishte dënuar gjashtë muaj burgim, mirëpo, me pëlqimin të tij, ky dënim me burg i ishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 3,000 euro, për të cilin vendim ai nuk kishte bërë fare ankesë.

Ai po ashtu ishte obliguar që t’ia kthejë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe shumën prej 4 milionë e 858 mijë e 89 euro, ngase më parë ia kishte kthyer kësaj ministrie shumën prej 7 milionë e 504 e 51euro.

Mirëpo Rrahmani, që vjen nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, ishte emëruar në pozitën e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe në Qeverinë e udhëhequr nga ish-Kryeministri Avdullah Hoti.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Qazim Rrahmani, akuzohej se gjatë kohës në të cilën ka ushtruar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke e shfrytëzuar këtë pozitë ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore në mënyrë që t’i sjellë vetës përfitim pasuror.

Prokuroria pretendonte se Rrahmani, gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela bankare zyrtare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, ka nxjerrë shumën prej 12 milionë e 363 mijë e 40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore