Lajme

Kosovë: MSH nuk ua vazhdon kontratat 360 infermierëve që punuan në pandemi


ilustrim i fotografise

360 infermierë të cilët ishin angazhuar nga një kredi nga Banka Botërore për të punuar gjatë kohës së pandemisë COVID-19 në Kosovë nuk iu ka vazhduar kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë (MSH) përmes një komunikate për media thotë se nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të infermierëve, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.

“MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim”.

Mos vazhdimi i kontratave ka nxitur shumë reagime nga infermierët të cilët edhe gjatë ditës së premte kishin protestuar pranë Klinikës Infektive.

Ndërsa infermieria, Mirjeta Gashi, në një postim në rrjetin social Facebook, ka treguar se kishte hequr dorë nga punësimi  jashtë vendit.

“Ishte pikërisht data 21.10.2020, kur pasi kisha vendosur të largohem nga vendi im për punësim jashtë vendit më mbajti përsëri të lidhur këtu. Vendosa t’i shërbej vendit tim, me dijen që unë e fitova këtu që t’u shërbej popullit tim në një kohë kur shumë nga ju u izoluat në shtëpi, e kishit frikë të dilnin edhe për blerje ushqimore, e unë në atë kohë me vullnet e përkushtim të madh, shkoja çdo ditë në punë”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se ka rrezikuar veten dhe familjen, për t’iu dalur në ndihmë shumë prej atyre që i preku një armikë i padukshëm.

“E për të mbrojtur prindërit e mi, gjyshërit dhe të tjerët sakrifikova. Unë ndjeva mall për ta, u bëra e huaj dhe komunikoja me ta vetëm në telefon, por s’ka gjë ishin kohë të vështira për të gjithë”.

Ajo ka treguar se puna dhe mundi nuk mund të paguhet me para.

“Dua ta dini një gjë, puna dhe mundi jonë dhe i shumë të tjerëve aty, nuk do të mund të paguhet kurrë me para”.

Po ashtu ajo ka shtuar se “nuk paguhen me para lotët e nënës që lutej që i madhi Zot të më ruante çdo ditë që shkoja në punë”.

Gashi ka deklaruar se nuk ka qenë e informuar se interesat politike do e pengonin në rrugën që e kishte paramenduar.

“Por, një gjë nuk e kam ditur, nuk e kam ditë që qenka kaq e vështirë ta fitosh një punë, nuk e kam menduar se interesat politike do më pengonin edhe mua në rrugën time dhe  as edhe nuk e kisha paramenduar këtë, që mundi dhe sakrifica do më shpërblehej me largim nga puna”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore