Lajme

Kosovë: Mbështetje financiare për familjet që kanë humbur personat nga COVID-19


Klinika Infektive në Prishtinë.

Të martën, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se Ministri Hekuran Murati ka nënshkruar vendimin për mbështetjen e familjeve që kanë humbur familjarin nga COVID-19.

Sipas njoftimit, secila familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

“Shuma e mbështetjes për aplikimet që përmbushin kriteret do të jetë 1,500 euro pagesë e njëhershme. Ndërsa mbështetje e veçantë do të jetë për personelin shëndetësor të institucioneve publike që kanë humbur jetën në luftën e tyre me pandeminë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 30 nëntor, ndërsa kjo do të mundësohet përmes formularit online: https://masa3-1.rks-gov.net.

“Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit”.

Pas datës 1 tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Rritjen e numrit të familjeve të varfra në mbarë botës si pasojë e pandemisë COVID-19 e kishte paralajmëruar edhe Banka Botërore vitin e kaluar.

Ndërkaq, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare pati thënë se “shoku” i pandemisë së Coronavirusit ka nxitur një rritje të nevojës për ndihmë financiare, duke vlerësuar se pothuajse një çerek miliardi njerëz do të kërkojnë ndihmë më 2021.

Prej shpërthimit të pandemisë COVID-19 në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 159 mijë raste të infektimit.

Ndërkaq, prej nisjes së fushatës së vaksinimit 513 mijë e 544 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 785 mijë e 938 persona kanë marrë dozën e parë.

Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksinohet 60 për qind e popullatës, aktualisht të vaksinuar në vend janë 28.5 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore