Lajme

Kosovë: Ligji për konfiskimin e pasurisë mund të jetë vetëm një hile e Qeverisë – ja pse


Qeveria e Kosoves

Ideja e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka rrezik se po bëhet “vetëm sa për qëllim të ndërtimit të strategjisë së fushatës së ardhshme zgjedhore”, ka thënë Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës.

Gjithashtu, projektligji aktual për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka probleme të tjera edhe përmbajtjesore edhe ligjore.

Madje themelimi i kësaj Byroje mund të jetë edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, meqë, siç qëndron tani, shkel liritë dhe të drejtat themelore, respektivisht parimin e prezumimit të pafajësisë.

“Me këtë ligj, pala është e fajshme derisa nuk të provohet ndryshe”, ka shpjeguar edhe Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

Gjithashtu, janë disa probleme të tjera që kanë të bëjnë me cenimin e ndarjes së pushteteve dhe përzierjen e tejkalimin e kompetencave nga disa institucione, siç është Kuvendi.

Albert Krasniqi, KDI

Ligji cenon parimin e ndarjes së pushteteve, “pasi i atribuon administratës kompetencat e prokurorisë”.

Pra, pushteti legjislativi ndërhynë në punën e pushtetit gjyqësor.

Ndërsa, Kuvendi tejkalon kompetencat e veta, “pasi Byrosë i jep statusin e institucionit të pavarur”.

“Kushtetuta ka përcaktuar institucionet e pavarura dhe funksionet e tyre, kurse përmes ligjit Kuvendit i ka mundësuar vetëm themelimin e agjencive të pavarura”.

“Nëse këto shkelje janë bërë nga mosdija, edhe mund të falen. Por nuk mund të falen nëse janë bërë me qëllim sa për të nxitur kundërshtimin e opozitës, për ta fajësuar pastaj se është kundër konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, shkruan Krasniqi.

Problem tjetër i projektligjit aktual është se ai nuk merret me “pesë vitet e para të procesit të privatizimit (2003-2008)” dhe gjithashtu as me pjesën “që nuk kanë ushtruar funksionin publik që 10 vite”.

 

Çfarë thotë Qeveria?

Blerim Sallahu, zevendesminister

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në një tentativë për të sqaruar më shumë projektligjin ka shkruar në Facebook se “Byroja Shtetërore do të verifikojë dhe propozojë që të konfiskohet vetëm pasuria e fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë/anëtarët e familjes së tyre/personat e ekspozuar politikisht dhe palët e treta kur ka dyshime se pasuria e paligjshme ka kaluar tek këta të fundit”.

Forma se si do të bëhet ky verifikim është kjo: hetim nëse ka shpërputhje mes të ardhurave financiare dhe pasurisë së krijuar nga personat zyrtarë.

Por, projektligj përcakton se Byroja ka të drejtë të verifikojë pasurinë edhe të familjarëve të personave zyrtarë.

Kjo, sipas Sallahut, do të bëhet vetëm “nëse paraprakisht ka indicie që pasuria e personit zyrtar ka kaluar te familjarët e tyre kudo qe gjenden ata”.

Por, ai nuk ka treguar se çka nënkuptohet me indicie dhe si përcaktohet se janë plotësuar parakushtet për të filluar hetimin dhe verifikimin ndaj një familjari të ndonjë zyrtari.

Praktikisht, kur të fillojë hetimi, personit të caktuar i mbetet të vërtetojë nëse pasurinë e ka në përputhje me të ardhurat dhe mund ta arsyetojë kapitalin e grumbulluar. Rrjedhimisht i takon personit të dëshmojë se dyshimet ndaj tij nuk vlejnë dhe jo institucionit që të provojë se ekziston pasuri e pajustifikueshme.

Por, sipas zëvendësministrit, “secili që konsideron që ky projektligj është në kundërshtim me konceptin e prezumimit të pafajësisë, nuk ka as njohuri bazike për ndarjen dhe zbatimin procedurës civile dhe penale dhe me shpjegimin e saktë të konceptit të konfiskimit civil të pasurisë”.

Megjithatë, përkundër konstatimit, Sallahu nuk ka argumentuar pse projektligji nuk është “në kundërshtim me konceptin e prezumimit të pafajësisë”.

Në mbledhjen e 52 të qeverisë së Kosovës, me 29 dhjetor të vitit 2021, u miratua Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kur e pati propozuar projektligjin, deklaroi se “është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe byroja për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme”.

“Byroja do të jetë institucion i pavarur dhe do i japë llogari Kuvendit”, kishte thënë ajo.

Albulena Haxhiu, ministre

Ndërsa Kurti, në po të njëjtën mbledhje deklaronte se qeveria e tij ka objektiv të qartë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Tash pas votimit në qeveri, projektligji vazhdon për debat dhe më pas votim eventual në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka premtuar se “do të kujdesem që, për shkak rëndësisë së këtij ligji, ai të trajtohet me prioritet”.

“E mirëpres votimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës të projektligjit për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, pati shkruar Konjufca në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore