Lajme

Kosovë: Konfirmohen 12 raste me variantin Delta Plus


Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Ministria e Shëndetësisë të mërkurën e 10 nëntorit ka njoftuar se janë konfirmuar 12 raste të variantit Delta Plus të Coronavirusit në Kosovë.

Nga 70 mostra të dërguara për analiza në Gjermani, 12 prej tyre kanë rezultuar me variantin Delta Plus, ndërsa 47 me variantin Delta.

“Nga shtatëdhjetë mostrat e dërguara të cilat kanë rezultuar pozitive në Kosovë, të dërguara për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%)”.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se të hënën do të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-Cov-2 të mbledhur gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-Cov-2 në qarkullim në Kosovë.

“Situata me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 paraqet rënie të numrit të rasteve për 19.11% krahasuar me dy javët e fundit. Gjithashtu edhe trendi i rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe spitalet që trajtojnë pacientët me COVID-19”.

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë thirrje për zbatim të masave anti-COVID e të ketë monitorim të masave me dinamikë të shtuar nga Inspektorati dhe Policia për të pasur efekt në uljen e lakores epidemiologjike.

Po ashtu, është bërë thirrje edhe për vaksinim sa më të shpejt ndaj virusit Coronavirusit.

Sipas hulumtimeve të para, varianti i ri përhapet më lehtë.

Megjithatë ai nuk është kërcënim më i madh për shëndetin sesa varianti Delta. Ky variant u zbulua në Indi.

Më 10 nëntor, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 14 persona të infektuar nga COVID-19 dhe asnjë të vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 696 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 2 mijë e 413.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 842 mijë e 796 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 744 mijë e 671.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore