Lajme

Kosovë: Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje në takim urgjent


Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtje

Është duke u mbajtur takimi emergjent i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Tema për të cilën të diskutohet në këtë takim, është gjendja me helmimet në Deçan.

Drejtori i Agjencisë për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti është ftuar që ditën e enjte nga ora 9:00 të raportojë në Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ai është ftuar që të raportoj për informacionet e këtij institucioni në lidhje me ngjarjet në Deçan, pas helmimit të mbi 1 mijë e 500 banorëve.

Për Albanian Post këtë e ka bërë të ditur, kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu.

“Po është e vërtet që të enjten në orën 9:00 në Komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së mbas thirrjes urgjente do të raportoj Drejtori i AKI-së me të vetmen pikë, gjendjen në Deçan”, ka thënë Musliu për Albanian Post.

Që nga fundjava e kaluar, banorët e Komunës së Deçanit kanë shfaqur simptoma të helmimit, siç janë marramendje, të vjella, diarre etj.

Të martën, Komuna e Deçanit në Kosovë ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar nga uji i pijshëm.

Në vendimin që ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Gjatë ditës së martë, udhëheqësit e institucioneve që kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti të ndodhur pas helmimit të fundit.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, në një konferencë për media ka thënë se mostrat e marra të ujit dhe rezultatet e nxjerra konstatojnë se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standardet evropiane, pas dyshimeve se mbi 800 persona janë infektuar në Deçan nga uji i pijes, derisa pritet një konkluzion final për këtë rast.

“Duke pas parasysh se qytetarët janë ankuar me disa simptoma kryesore, që më së shumti janë të lidhura me zorrët dhe barkut, atëherë IKSHPK ka marrë rezultatet laboratorike dhe në bazë të asaj, ne do të konkludojnë se a ka pasur ndonjë infeksion. Për këtë, aktualisht nuk mund të themi asgjë, sepse analizat fiziko-kimike rezultojnë në rregull”, tha Ramadani.

Po të njëjtën ditë, ujësjellësi “Hidrodrini”, njoftoi qytetarët që furnizohen me ujë nga ky ujësjellës rajonal, se uji ishte i sigurt.

“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.

“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.

Ndërkaq, institucionet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore