Lajme

Kosovë: Cilat projekte kaluan në leximin e dytë të buxhetit për vitin 2022?


Deputetet e Vetevendosje ne Kuvendin e Kosoves

Pothuajse të gjitha propozimet e projekteve nga deputetët e partive opozitare, nuk morën votën e mazhorancës në votimin e buxhetit për vitin 2022 në Kosovë.

Por, ishin ato të propozuara nga deputetët e partisë shumicë në këtë legjislaturë, të cilat kaluan pa diskutime.

Jeta Statovci, deputete e Vetëvendosjes, në llogarinë e sajë në Facebook, ka radhitur projektet që ajo i propozoi dhe të cilat sigurisht që kaluan pa diskutime.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci

Shumica nga to ishin për komunën e Podujevës.

“Sot me shumicë votash u miratua buxheti për vitin 2022. Falë performancës, buxheti i parashikuar për vitin 2022 është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi, duke kapur vlerën prej 2 miliardë e 748 milionë euro, apo 8.7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti”, ka shkruar Statovci në Facebook.

“Si deputete e Kuvendit te Kosovës, këto janë disa nga projektet që kam propozuar së bashku me deputetët Eman Rrahmani, Driton Hyseni, Armend Muja të cilat sot u miratuan këto projekte”, ka vazhduar Statovci, duke listuar më pas projektet e propozuara nga ajo.

-Mbështetje për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, në programin Trajtimi i pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore në vlerë 1,000,000 euro shtesë.

-Ndihmë ndaj pacientëve me “Fibroze Cistike” në vlerë prej 306,000 euro.

-Ndërtimi i çerdhes në fshatin Batllavë, në Komunën e Podujevës në shumë prej 100,000 euro.

-Ndërtimin i Zonës Ekonomike në Podujevë ne shume prej 200,000 euro

-Ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në fshatin Orllan me fshatrat tjera – Podujevë në shume prej 400,000 euro;

-Rregullimi i rrugës  në fshatin Turuçicë, Komuna e Podujevës në shumë prej 200,000 euro;

-Ndërtimi dhe asfaltimin i Rrugës Kalatic-Brainë, Bervenik- lagja -Avdullahu. Komuna e Podujevës, në shumë prej 200,000 euro

-Rregullimi i përroskës Ternavicë Bellopojë, Komuna e Podujevës, në shumë prej 60,000 euro

-Rehabilitimi me zhavor i rrugës Murgull – Bellosicë në Komunën e Podujevës, me gjatësi rreth 8km, ne shumë prej 60,000 euro

-Rregullimi i rrjetit te ujësjellësit në Komunën e Fushë Kosovës në Lagjen 028 Bardh i Madh si dhe Fshatin Sllatinë e Madhe, në shumë prej 300,000.00 euro

-Rehabilitimi i plotë i Stacionit Transfer dhe pjesës para stacionit në lagjen Ali lbra në Komunën e Gjakovës, në shumë prej 250,000.00 euro

-Asistence në ndërtimin e databazës për nënat vet-ushqyese nga Ministria e Financave dhe mbështetje në vlerë prej 50,000 euro.

“Falendëroj të gjithë deputetët për mbështetjen e këtyre projekteve”, ka përfunduar Statovci.

Duda Balje, deputete nga komuniteti boshnjak

Me shumicë votash është miratuar amendamenti për ndarjen e 1.8 milionë eurove për blerjen e një aparati që ndihmon në rrezatimin preciz të tumoreve.

Ky propozim është ideuar nga deputetja boshnjake, Duda Balje.

Aparati në fjalë është i domosdoshme për rrezatim precize të tumoreve të të gjitha lokalizimeve si dhe për numrin e lartë të pacienteve të cilët kanë nevojë për këtë.

Kësisoj, me këtë aparat për 6 vite nuk është e obligueshme të dërgohen pacientet jashtë shtetit për rrezatim.

Kujtojmë se amandamenti në fjalë nuk kushte përkrahje nga Komisioni përkatës mirëpo në Kuvend mori shumicën e votave.

Por deputetët nuk aprovuan shumë nga projekt të propozuar nga deputeti i PDK-së, Rashit Çalaj, të cilat kishin të bënin me qytetin e Ferizajt.

Bile deputetët nuk e votuan as amendamentin për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, i cili u propozua nga ish drejtori i Policisë, tani deputet, Rashit Çalaj.

“Nuk kam ndonjë koment tjetër përveç se mashtrim i kësaj qeverie”, ka thënë Çalaj për Albanian Post.

Nuk kaloi as një projekt për qytetin e Skenderajt.

Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ishte shumë i zëshëm kur deputetët e pozitës nuk votuan projektin për sigurimin e ujit të pijes për shumë fshatra të komunës së Skenderajt.

“Ju po e tregoni vetëm fytyrën e vërtet që keni se jeni kundër Drenicës. Edhe aparati serb në krye me Slobodan Millosheviçin kanë dashtë të na e ndalin ajrin dhe jetën, edhe s’kanë pasë mundësi, edhe ju ujin nuk keni me pas mundësi kurrë me na e ndalë”, ishte një nga shprehjet e revoltuara në kuvend të Lushtakut.

Nuk u aprovua as amandamentimi i propozuar nga deputetja Eliza Hoxha, i cili kishte të bënte me sigurimin e asistencës në shkollim, për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Arsimi për fëmijët me nevoja të veçanta të shtohet buxheti prej 2.5 milionë euro në kategorinë paga dhe shtesa dhe shuma e përgjithshme të jetë 3 milionë e 821 mijë euro. Kështu si arsyetim në mungesë të asistentëve prekë detyrimisht nënat e këtyre fëmijëve dhe i privon nga angazhimi i tyre në sferën publike, duke qenë duhet të kujdesen për këta fëmijë”.

Bëhej fjalë për sigurimin e pagesës për 500 persona të cilët do të asistonin fëmijët me aftësi të veçanta gjatë procesit mësimor në shkollë.

Albana Bytyqi, deputete e AAK-së,

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka reaguar për buxhetin e miratuar për vitin 2022. Ajo ka thënë se ky buxhet shpërfaq qasjen autoritare dhe të ndarjes së thellë politike që Qeveria Kurti po ia bën qytetarëve të Kosovës.

“Suhareka, komuna nga vij si deputete, u privua nga çdo euro dhe nga çdo cent e buxhetit të Kosovës. Qytetarët e Suharekës dhe disa komuna tjera, përmes këtij buxheti, u ndanë dhe u klasifikuan si qytetar të parëndësishëm”, ka thënë deputetja Bytyqi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë në ndarjen e buxhetit të shtetit.

Ndër të tjera, Musliu-Shoshi ka dhënë tri propozime, mirëpo të njëjtat nuk morën dritën jeshile nga mazhoranca.

“Zotëri kryeministër, ashtu si i përfaqësoni të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ishte mirë që mirëqenia e gjithë qytetarëve të reflektohet në këtë buxhet, pa marrë parasysh zonat elektorale”, ka deklaruar Musliu në Kuvend.

Amendamenti i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe ndriçimin e rrugës përgjatë lumit Klina, të komunë së Skenderajt. Ka një rëndësi të veçantë sa i përket rritjes së sigurisë, posaçërisht të fëmijëve.

Amendamenti i dytë ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm për fshatin Lybeniq të Pejës e cila konsiderohet si nevojë esenciale e jetës e fatkeqësisht në këtë fshat mungon.

Propozim i tretë është për ndërtimin dhe ndriçimin e rrugës për në  fshatin Klinë e mesme dhe e poshtme.

As një nga këto projekte nuk u votua nga deputetët e Vetëvendosjes.

Në fund, kryeministri Kurti ka falënderuar deputetët që votuan buxhetin e vitit 2022.

“Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet”, ka shkruar kurti në llogarinë e tij në Facebook.

“Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”.

“Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore