Lajme

Kurti: Falënderoj të gjithë deputetët që votuan buxhetin e Qeverisë sonë


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar të gjithë deputetët që votuan buxhetin e Qeverisë për vitin 2022.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai është shprehur se ky do të jetë buxhet i zhvillimit, mirëqenies dhe solidaritetit.

“Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë prioritet dhe është ndarë një shumë e të hollave edhe për këtë çështje.

“Kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet”.

Kuvendi i Kosoves

Për sa i përket grave lehona dhe fëmijëve, ai thotë se janë ndarë 45 milionë euro për këto shtesa.

“Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”, ka shkruar ai.

Ndërkaq në arsim, shëndetësi, kulturë, sport dhe infrastrukturë, Kurti thotë se janë ndarë 700 milion euro që do të investohen.

Nga ana tjetër deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi i ka bërë thirrje kryeministrit, që të reflektojë në ndarjen e buxhetit të shtetit.

“Zotëri kryeministër, ashtu si i përfaqësoni të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ishte mirë që mirëqenia e gjithë qytetarëve të reflektohet në këtë buxhet, pa marrë parasysh zonat elektorale”, ka thënë ajo.

Kurse deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky buxhet shpërfaq qasjen autoritare dhe të ndarjes së thellë politike që Qeveria Kurti po ia bën qytetarëve të Kosovës.

“Suhareka, komuna nga vij si deputete, u privua nga çdo euro dhe nga çdo cent e buxhetit të Kosovës. Qytetarët e Suharekës dhe disa komuna tjera, përmes këtij buxheti, u ndanë dhe u klasifikuan si qytetar të parëndësishëm”, është shprehur Bytyqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore