Lajme

Kosovë: Asgjësohen shpezë në 10 ferma si pasojë e gripit H5N8


Ilustrim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, (AUV) ka asgjësuar një numër të shpezëve në dhjetë ferma familjare, në lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, për shkak të diagnostikimit të tyre me virusin H5N8, apo siç njihet ndryshe, gripi i shpezëve.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, derisa ka thënë se “disa ferma të tjera po mbahen në izolim, deri në përfundimin e analizave”.

“Fatmirësisht, deri më tani kemi të prekura vetëm një numër të kufizuar të fermave familjare, kurse fermat tjera komerciale, janë të lira dhe masat e biosigurisë nga fermerët janë marrë më kohë”, tha Thaçi.

“AUV do të bëjë monitorimin që të vazhdojë mbikëqyrja e zbatimit të masave, që të mos kemi shtim të numrit të rasteve të prekura, apo ta tejkalojmë sa më lehtë që mos të kemi dëmtim ekonomik, qoftë për fermerë apo shtetin tonë”, tha Thaçi”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve), i cili është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore