Lajme

Kosovë: ARKEP arsyeton IPKO-n për mesazhet e mirëseardhjes në Serbi


Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, vizitoi Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP)

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të enjten vizitoi Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për të marrë më shumë informacione sa i përket mesazheve që operatori IPKO u ka dërguar të gjithë atyre që kalojnë përreth zonës së Manastirit të Deçanit e ku u urohej mirëseardhje në Serbi.

Deputetët kanë kërkuar nga ARKEP që ta mbikëqyrë MTS. Ndërsa Kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka thënë se ky problem teknik ka qenë si rezultat i marrëveshjes së roaming-ut mes operatorëve IPKO dhe Telekom Serbija.

“Ai tekst ka qenë si shenjë identifikimi që konsumatori ka hyrë në një zonë roaming (ndërkombëtar). Në momentin që e kemi marrë informatën ne kemi komunikuar menjëherë brenda ditës me IPKO-n dhe kemi kërkuar sqarime për këtë çështje. Ata brenda ditës, po atë ditë kur është publiku lajmi, na kanë informuar që e kanë rregulluar problemin”, është shprehur Rahimi.

Sipas Rahimit, në rast se e njëjta do të përsëritet edhe njëherë, do të sanksionohen të dy operatorët.

“Ne kemi marrë prej tyre përgjigjet dhe do t’iu shqiptojmë vërejtje me shkrim të dy operatorëve që në rast se një dukuri e tillë përsëritet me automatizëm ne do t’i sanksionojmë”, shtoi ai.

Të pyetur nga deputetët se si një operator MTS ka mundur të dërgojë mesazhe të tilla tek qytetarët që posedojnë numra telefonik nga operatori IPKO, anëtarja e bordit, Rrezarta Duraku-Rizaj, bëri të ditur se mesazhet janë dërguar nga IPKO dhe jo nga MTS, “për shkak që numrat e IPKO-s atë ditë janë lidhur automatikisht me roaming të Telekomit të Serbisë si rezultat i marrëveshjes për roaming mes këtyre dy palëve”.

Ndërsa deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, kur pyeti anëtarët e bordit të ARKEP se a janë të sigurt se nuk ka de nominim në marrëveshjen e IPKO-s me Telekomin e Serbisë, një gjë e tillë u mohua nga kryetari Rahimi.

“Në atë që unë kam parë në atë marrëveshje, që e kanë të gjithë operatorët ndërmjet vete, nuk kam parë që ka ‘Kosovë dhe Metohi’, është vetëm fjala Kosovë”, ka thënë Rahimi.

Një dyshim e ka ngritur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili ka thënë se dyshon se ka antena të cilat nuk mund të kontrollohen.

“Argumentojeni që ju keni mundur me hi në brendi të kultit fetar për t’u bërë inspektimi, përpos prej një largësie të caktuar. Në asnjë kult fetar kjo nuk është lejuar”, është shprehur Lekaj.

Përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë shefi i Departamentit të Radiomonitorimit, Astrit Ajvazi, i cili ka thënë se “antena e vendosur në Manastir të Deçanit nuk e ka as pozitën dhe as mundësinë për mbulimin e territoreve për shkak të specifikave të kësaj antene”.

“Kur po them që monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme po ashtu, me pajisjet që ARKEP ka në dispozicion është e sigurt dhe verifikohet shfrytzueshmëria e saktë që ka kjo antenë dhe të gjitha antenat e MTS”, sqaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore