Lajme

Kosova t’i zbatojë rekomandimet e Keshillit të Evropës nëse do anëtarësim


Ilustrim

“Qeveria e Kosovës duhet ta braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë, të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, dhe të mirëmbajë pavarësinë e gjyqësorit, duke u përmbajtur nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor”.

Këto janë vetëm disa nga të gjeturat e raportit të avokatëve eminentë të Këshillit të Evropës, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, të cilat Kosova duhet t’i përmbushë gjatë rrugës për anëtarësim në këtë organizëm ndërkombëtar.

Andrew Forde, specialisti i së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qeverisjes dhe çështjeve politike, me më shumë se 10 vjet përvojë pune në Këshillin e Evropës, ka analizuar për Albanian Post, raportin prej 28 faqesh të Këshillit të Evropës, i përgatitur pas misionit faktmbledhës të avokatëve eminentë në Kosovë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, çështjen e Manastirit të Deçanit duhet ta analizojë në prizmin e sigurisë së sundimit të ligjit.

Kësisoj, gjëja më e mençur që Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte me këtë çështje, vlerëson Forde, do të ishte zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese me vullnetin e plotë të saj, në vend që të priste t’i thuhet ta bëjë këtë.

“Kanë kaluar vite që kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur për këtë çështje dhe qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës në fakt e kanë injoruar atë. Kjo është krejtësisht e papranueshme në një shtet demokratik i bazuar në parimet e shtetit të së drejtës. Kjo çështje sigurisht që paraqitet si kriter i anëtarësimit për Kosovën”, pohon ai për Albanian Post.

Nevoja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në anën tjetër, konsideron Forde, është më shumë një çështje politike, sesa kriter objektiv.

“Sipas ligjit, nuk ka nevojë për një Asociacion të tillë pasi Kosova tashmë ka një Asociacion të Komunave, por kjo është krijuar për t’i ofruar ‘ngushëllim’ shtesë komunitetit serb të Kosovës që interesat e tyre legjitime (p.sh. të drejtat gjuhësore) të ruhen”, shpjegon ai më tej.

Forde, ndër të tjera është shprehur optimist për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, megjithatë vendimi për këtë, sipas tij, nuk do të varet kryekëput nga kriteret objektive, por edhe politike.

Andrew Forde dhe Mimoza Ahmetaj

Raportin e publikuar nga Zyra e Asamblesë së Këshillit të Evropës, nga i cili varet edhe potencialiteti i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm, për Albanian Post e ka komentuar edhe ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj.

Sipas saj, raporti përfshinë dhe i trajton në hollësi të gjitha segmentet që i mbulon Këshilli i Evropës nga të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e pakicave deri tek rendi e ligji e demokracia.

“Raporti është mirë i strukturuar dhe i balancuar, ka shumë finesa dhe jep argumente të mjaftueshme për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Nëse e shikoni fare në fillim te çështja e përdorimit të asteriksit (*) me sa finesë e kanë evituar vendosjen në secilën fjalë ku është Kosova, dhe mënyrën se si e kanë argumentuar të tregon mjaftë”, thotë ajo fillimisht për AP.

Në çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ish-konsullja e Kosovës në Strasburg, vlerëson se raporti sqaron shumë mirë se ky mekanizëm “duhet të bëhet brenda Kushtetutës së Kosovës”.

“[Raporti sqaron gjithashtu se] ‘…minoritetit serb mund t’i jepen të drejta shtesë vetëm në dakordim dypalësh…’ po ashtu që ‘…asgjë nuk e obligon Kosovën ta bëjë një gjë të tillë…’. E njëjta vlen edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e përshkruar si një institucion me kredibilitet dhe të cilit i besojnë të gjithë qytetarët e vendit”, ka argumentuar ajo.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Slloveni, thekson se tashmë Qeveria e Kosovës ka detyrime ndërkombëtare për plotësimin e të gjitha çështjeve të përmendura në Raport.

“Pra, është më tepër se e qartë që çdo tendencë për të eskivuar nga përmbushja e obligimeve do ta vendos Kosovën ne pritje drejtë anëtarësimit dhe do të gjendet ndonjë shkas (jo shkak), në hallkat institucionale brenda KiE-së, që të pezullohet procesi i anëtarësimit”, pohon ajo.

Ahmetaj, njëjtë si Forde, thekson se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk varet vetëm nga plotësimi i kritereve teknike, por edhe nga përmbushja e atyre politike.

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE më 12 maj të vitit të kaluar.

Për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, Kosova duhet të kalojë tri faza të votimit. Kosova aktualisht gjendet në fazën e dytë të procesit të anëtarësimit.

Më 24 prill të këtij viti zyrtarisht Komiteti Ministror i KiE-së në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave procedojë tutje aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare.

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia votuan pro, derisa 12 të tjerë votuan kundër ose abstenuan.

Sipas të dhënave që u bënë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Këshilli i Evropës: Asociacionin, manastiret dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit – nëse doni anëtarësim këto janë kushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore