Lajme

“Kosova të marrë liberalizim vizash”, Pahor i shkruan BE-së


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që në samitin e 23 qershorit t’ua heq vizat qytetarëve të Kosovës.

Kërkesën ai e ka bërë përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ndërsa dorëzimin e saj e konfirmoi sot në fjalimin e tij në forumin e Prespës, ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kroati, Zoran Milanoviç, malazezi, Milo Gjukanoviç dhe veri-maqedonasi, Stevo Pendarovski.

Aty, slloveni tha se unionit i kërkoi që të merr vendime për përshpejtimin e integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Unë besoj se nevojiten hapa konkretë për të përshpejtuar zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i jepet drita jeshile për fillimin e negociatave në qershor dhe Kosova të marrë liberalizim vizash”.

“Besoj se të dyja kërkojnë vetëm vullnetin politik të shteteve anëtare, si të tre shtetet plotësojnë të gjitha kushtet për të thënë.  Dua gjithashtu një proces më të shpejtë negociues me Malin e Zi dhe Serbinë”, ka shkruar Pahor.

Kjo, derisa ka shprehur shqetësim të veçantë për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Jam i bindur se është e domosdoshme që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit pa kushte.  Natyrisht, BiH duhet të plotësojë kushtet, por rendi duhet të jetë i ndryshëm – kështu që së pari statusin e kandidatit dhe më pas plotësimin e kushteve”.

“Sipas mendimit tim, kjo do t’i forconte forcat pro-evropiane në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe dinamikat e përshtatjes së brendshme me normat evropiane”, ka shkruar Pahor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore