Lajme

Kosova synon ta kalojë pengesën e radhës për anëtarësim në KiE


Këtë të martë Kosova mund të jetë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, meqë Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Dora Bakoyannis.

Por, do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të 46 shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Votimi i 27 marsit erdhi edhe pas një zotimi që krerët institucional të shtetit i kishin dhënë diplomates greke lidhur me opinionin e saj.

Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti ishin zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në shtojcën e dërguar Bakoyannis, Osmani, Konjufca e Kurti janë zotuar gjithashtu që të “përmbahen nga përdorimi i policisë speciale në Veri për detyra të zakonshme”, si dhe “të merren masa urgjente për ta promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në Polici, Gjyqësor dhe Prokurori në Veri të Kosovës”.

“Do të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në Veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohemi se ato dislokohen vetën në rast nevoje, dhe ta shtojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in”.

Gjithashtu ata zotohen se do të respektojnë “plotësisht pavarësinë e gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e tepruara që e minojnë besimin në gjyqësor”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka thënë se nëse votohet rekomandimi për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të hapet rruga për hapin final.

“Një votim i suksesshëm nesër pasdite do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit”, tha Gërvalla të hënën.

Në anën tjetër, delegacioni i Serbisë në Këshillin e Evropës ka dorëzuar një amendament përmes të cilit kërkon shtyrjen e pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Kuvendi i rekomandon Komitetit të Ministrave që të shtyjë vendimin për aplikimin për anëtarësim derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të përcaktojë apo miratojë përfundimisht statusin e Kosovës”, thuhet në amendamentin e propozuar nga anëtarët e delegacionit serb.

Ndryshe, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u bë pengesë që të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë.

Megjithatë, kjo çështje mori epilog kur Qeveria vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore