Lajme

Kosova pranon mbi 35 mijë vaksina anti COVID-19 nga SHBA-të


Ilustrim

Kosova këtë javë do të pranojë një kontingjent prej 35 mijë e 100 vaksinash kundër COVID-19 donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Këtë e ka konfirmuar një zyrtari i Shtëpisë së Bardhë duke thënë se vaksinat dërgohen përmes programit COVAX, që është pjesë e angazhimit të SHBA-ve “për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë”, raporton Zëri i Amerikës.

Dozat për Kosovën janë një nga blerjet prej gjysmë miliardi të vaksinës Pfizer të siguruar nga Presidenti Joe Biden, në fillim të kësaj vere.

Zyrtari amerikan ka treguar se qëllimi i këtij donacioni nuk ka prapavijë politike, por vetëm qëllime humanitare.

“Jemi krenarë që jemi në gjendje t’i dorëzojmë këto vaksina të sigurta dhe efektive për njerëzit e Kosovës. Po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione. Vaksinat tona nuk vijnë me prapavijë. Ne po e bëjmë këtë me synimin e vetëm – për të shpëtuar jetë”.

Përveç dy miliardë dollarëve të dhuruar për programin COVAX, qeveria amerikane ka blerë 500 milionë vaksina Pfizer-BioNTech për t’i shpërndarë ato gjatë gjithë vitit në Unionin Afrikan dhe 92 vende me të ardhura të ulëta.

Blerja në fjalë përfaqëson blerjen dhe dhurimin më të madhe ndonjëherë të vaksinave nga një vend i vetëm.

Ndërsa dhurimi i vaksina në Kosovë vjen në periudhën kur vendi po përballet me një situatë të rënduar me pandeminë COVID-19.

Vetëm të mërkurën autoritetet në Kosovë konfirmuan 2 mijë e 110 raste të reja të të prekurve nga COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë 622 mijë doza, ndërsa 215 mijë qytetarë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore