Lajme

Kosova pranon 55 automjete ushtarake nga SHBA-të


Ilustrim

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar 55 automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerë prej 44 milionë eurove.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete ushtarake të blinduara, ka thënë se “po jetësohet ëndrra që ushtria e Kosovës të krijojë kapacitete operacioonale të përafërta me aleatët dhe të rreshtohet përkrahë tyre”.

“Është ditë e veçantë për popullin e Kosovës ngase partneri ynë strategjik po ua dhurojnë forcave tona të armatosura 55 automjete ushtarake në vlerë mbi 44 milionë euro. Si komandante supreme e kësaj force jam tepër e lumtur dhe shpreh mirënjohjen e thellë presidentit amerikan, Joe Biden dhe ambasadorit Philip Kosnett e gjithë popullit amerikan”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se këto pajisje ushtarake janë dëshmi që “ushtria jonë po zhvillohet në ushtri bashkëkohore që të sigurojë paqe të qëndrueshme”.

“Këto pajisje do të ndihmojnë në zgjerimin e kapaciteteve të parapara në planin gjithëpërfshirës në mandatin e ri. Këto pajisje që janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave do t’iu mundësojë që veprimet në ruajtjen e paqes të zgjerohen e të shtrihen kudo që kërkohet”, është shprehur ajo.

Presidentja e Kosovës në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete ushtarake të blinduara.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë fjalimit të tij ka thënë se “pavarësisht gjendjes së rënduar të vendit nga pandemia COVID-19, Republika jonë vazhdon të mbetet e përkushtuar me aleatët tanë për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale”.

“Vendi ynë po mirëpret refugjatët afganë, po mbështet vendet e rajonit me fatkeqësitë natyre. FSK po luan rol të rëndësishëm e po jep kontribut të çmuar në këto zhvillime.”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë, rol të rëndësishëm po luan partneri “i pazëvendësueshëm – SHBA”.

“Ato vazhdojnë të jenë kontribuuese aktivë në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së. Mbështetja me automjete të blinduara nga SHBA-të për FSK është vetëm njëra nga fushat ku SHBA po kontribuojnë ndjeshëm për sigurinë e vendit e popullit tonë”, shtoi më tej kryeministri.

Në emër të qeverisë Kurti ka shprehur falënderime dhe mirënjohje SHBA-ve për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, mbrojtjen e territorit dhe sovranitetin e vendit e sheh si një interes vital shtetëror dhe në këtë aspekt përkrahjes e FSK-se e trajton me prioritet të veçantë. Do të vazhdojmë zhvillojmë politikat e mbrojtjes ë të ndërtojmë kapacitet operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jemi të përputhshme me NATO-n dhe anëtarësimin në këtë organizatë”.

“Uroj që këto automjete të blinduara të përdoren në mënyrën më të mirë në shërbim të mbrojtjes së vendit, dhe sigurisë e stabilitetit në vend, rajon e më gjerë”, përfundoi Kurti.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore