Sport

Kosova organizon Lojërat Mesdhetare 2030, Osmani: Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar!”, e ka konsideruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që Kosova të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë”, shkroi Osmani në Facebook.

E para e vendit e përgëzoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.

“Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!”.

Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Këtë e ka vendosur Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e cila është mbajtur në Heraklion të Greqisë.

Kandidatura e Kosovës ka marrë 55 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, derisa tetë kanë qenë kundër dhe tri abstenime.

Për shtetin e Kosovës, kjo është një arritje tejet e madhe, pasi që në këtë kompeticion do të marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente.

Kandidatura e Kosovës u prezantua nga Kryeministri Albin Kurti, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.

Këtë lajm, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar “arritje e jashtëzakonshme”, teksa i ka uruar të gjithë qytetarët.

Qeveria e Kosovës, përmes mbledhjes në formë elektronike të mërkurën e 6 shtatorit, kishte bërë të ditur se ka miratuar vendimin për kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Se Kosova do të ishte zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ishte bërë me dije me 4 prill.

Zyrtare: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore