Lajme

Kosova mund të anëtarësohet në OKB pa e njohur Serbia?


Këshilli i Sigurimit i Organizatës se Kombeve të Bashkuara

Pengesat më të mëdha për Kosovën që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) tradicionalisht kanë qenë dy anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina.

Kjo për shkak të së drejtës së tyre për Veto që u lejon të parandalojnë anëtarësimin, edhe në rast se të gjithë anëtarët e tjerë të OKB-së do të votonin në favor të pranimit të Kosovës.

Anëtarësimi në organizatë do të ndodhë vetëm nëse Rusia dhe Kina e ndryshojnë qëndrimin ndaj njohjes së Kosovës.

Një ndryshim i tillë i qëndrimit të dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit rrjedhimisht do të varet shumë nga ndryshimi i qëndrimit të Serbisë për mosnjohjen e Kosovës.

Sipas shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Tomas Szunyog, anëtarësimi i Kosovës në OKB varet në mënyrë eksplicite nga aprovimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e jo nga kërkesa e një shteti anëtar.

“Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të aprovohet nga Këshilli i Sigurisë së OKB-së, dhe nga shumica e shteteve anëtare, në mënyrë që të mos varet specifikisht prej opinionit të ndonjë prej vendeve”, ka potencuar Szunyog për Albanian Post.

Ndërsa për hulumtuesin Shkodran Ramadani, anëtarësimi i Kosovës në OKB pa pranimin e pavarësisë nga Serbia teknikisht është i mundur por assesi politikisht.

“Teknikisht është i mundur pasi që Serbia është anëtar i rëndomtë i OKB-s dhe nuk ka të drejtën e Vetos në Këshillin e Sigurimit”.

Ndërsa politikisht “Rusia dhe Kina si pjesë e Këshillit të përhershëm të sigurimit në OKB mbajnë qëndrim refuzues ndaj shtetësisë së Kosovës pikërisht për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën”, ka thënë ai për Albanian Post.

I pyetur se sa është pengesë rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-s, e cili e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë, për anëtarësimin e Kosovës në OKB, Mustafa ka potencuar se nëse vjen rasti për anëtarësim “do të ketë një marrëveshje për ndryshimin ose përfundim të rezolutës 1244”.

Ndërsa sipas ligjëruesit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri, njohja nga Serbia nuk është e domosdoshme, por është burimi i tij.

Sipas Imerit, arsyeja se pse është e rëndësishme njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në kuadër të anëtarësimi të saj në OKB, qëndron tek problemi te partnerët tradicionalë të Serbisë që janë pengesë në rrugën e Kosovës drejtë OKB-së.

Imeri, gjithashtu thekson se “Rusia dhe Kina kanë penguar edhe trajtimin e miratimin e pakos së Ahtisaarit, miratimi eventual i së cilës do të nënkuptonte edhe pranimin e Kosovës si shtet në OKB”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore