Lajme

Kosova me projektligj për kriptovaluta


Ilustrim

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.

Projektligji në fjalë, sipas Radio Evropa e Lirë, ka kaluar fazën e parë të hartimit, i cili pritet të miratohet para fundit të vitit 2021.

Komisioni për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës po angazhohet që, përmes këtij projektligji, të adresojë edhe çështjen e keqpërdorimit të energjisë elektrike për pasurim me kriptovaluta në komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës, ku qytetarët nuk paguajnë për rrymën që e shfrytëzojnë.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Çka janë kriptovalutat ?

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet kërkon hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Përveç Bitcoin ekzistojnë mbi 5 mijë kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore