Kosova

Kosova me nismë legjislative për ta rregulluar tregun e kriptovalutave


Komisioni për Ekonomi, Ndërmarrësi, Tregti

Në mbledhjen e ditës së mërkurë të Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi, Tregti, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar në lidhje me legjislacionin e kriptovalutave, që kryesisht në veri të vendit ka përdorim të madh për shkak të mos pagesës së energjisë elektrike.

Kryesuesja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar për shkakun e mos ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku ka dyshime të bazuara se keqpërdoret energjia elektrike për prodhim të kriptovalutave.

“Në vitin 2018 në verë ka filluar rritja e konsumit energjisë elektrike në veri, e ki një trajektore 20 për qind dhe ajo rritje ka vazhduar edhe në vitet pasuse”, ka thënë Kusari.

Sipas saj, për të dërguar Policinë është shumë e thjeshtë “atëherë duhesh me dërgu policinë në secilën shtëpi në veri pse nuk e paguan rrymën”, duke shtuar se për këtë s’ka ligj “cili ligj ma ndal veprimtarin të cilën unë jam duke e bërë dhe jam duke konsumuar rrymën”.

Kusari e ka konsideruar të rëndësishme të cekët në ligj prodhimi i kriptovalutave.

“Është e domosdoshme me u përcaktu në ligj në mënyrë që bazën ligjore nëse donë me i ndal atëherë i thu në bazë të këtij ligji, ”, ka thënë ajo.

Ndërsa zëvendës guvernatori në Bankën Qendrore, Sokol Havolli, ka thënë se për BQK-në ka qenë e rëndësishme që qytetarët të jenë të njoftuar me rreziqet që mund të vijnë nga investimet në kripto asete.

“Rreziqet e mëdha mund të sillen edhe përfitime të mëdha. Mirëpo në anën tjetër nuk ka një mekanizim i cili garanton mbi qëndrueshmërinë dhe garanton mbi stabilitetin apo kontinuitetin e ekzistencë së këtyre aseteve”.

Havolli ka treguar se BQK ka bërë një vlerësim për rrezikshmërinë.

“Si Bankë Qendrore e kemi vlerësuar se bartin rrezikshmëri të lartë për arsyeje se deri më tani të gjitha zhvillimet në kontekstin në kripto aseteve kanë qenë vetëm subjekt i spekulimeve dhe jo ndërtimi i një baze të asaj çka quhet vlera përbërës e një asete”.

Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, gjatë mbledhjes ka thënë se vëmendja është rregullorja jo tek direktiva.

“Këshilla jonë dhe rekomandim ynë për këtë komision dhe për të gjitha institucionet ta ndjekim draftin dhe të jemi bashkë dhe me institucionet tjera dhe jo vetëm me zyrën e BE-së, dhe të bëhet një drafte komform standarteve me të mira të cilat janë duke u parapa”, ka thënë.

Në grupin e punës në përbërje janë, kryesuesja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila, Jeta Statovci, Valentina Bunjaku, Driton Hyseni dhe Fidan Zhuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore