Kosova

Kosova kërkon barazi në CEFTA, Serbia ashpërson barrierat duke ndaluar transitin e mallrave


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s të mërkurën ka mbajtur takimin e fundit për vitin 2021.

Në këtë mbledhje nuk arriti të zgjidhë çështjen e përfaqësimit të Kosovës pa UNMIK-un.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ministrja Rozeta Hajdari ka kërkuar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA pa përfshirjen e UNMIK-ut.

“UNMIK-u, si mision i përkohshëm i OKB-së, ka nënshkruar Marrëveshjen e CEFTA-s më 2006 në emër të Kosovës. UNMIK-u asokohe ka deponuar deklaratë sipas të cilës vlefshmëria e marrëveshjes së CEFTA-s do të varet nga autoritetet e ardhshme të Kosovës”.

“Tani që UNMIK-u nuk mban më pushtet ekzekutiv në Kosovë, Ministrja Hajdari ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të përfaqësojnë veten si palë e barabartë. Parimi i barazisë, mosdiskriminimit dhe transparencës është garanci për të ecur përpara drejt zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe integrimit në BE”.

“Në elaboratin e saj, përkundër refuzimit dhe pengesës së ashpër të palës serbe, Ministrja Hajdari rikujtoi përkushtimin e Kosovës për të përmbushur detyrimet nga CEFTA, andaj këmbënguli se Kosova duhet të gëzojë të drejtën e trajtimit të barabartë”.

“Ministrja Hajdari shtoi se letra për përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un nuk duhet të shihet si çështje politike, por si domosdoshmëri për të lehtësuar funksionimin e CEFTA-s qe do te lehtësojë zgjidhjen e shumë çështjeve tregtare të pazgjidhura dhe përshpejtojë integrimin ekonomik rajonal”, thuhet në njoftim.

Kjo ministri bëri të ditur se shqyrtimi i letrës u kundërshtua nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët pretenduan se nuk kanë dhënë pëlqimin që letra të futet në rend të ditës, ndërsa Ministri Bekteshi si kryesues i mbledhjes, nuk lejoi që ndërhyrjet e ashpra dhe të vazhdueshme të palës serbe t’ia pamundësojnë Ministres Hajdari që të arsyetojë pjesëmarrjen e Kosovës si palë e barabartë, pa UNMIK-un.

“Komiteti i Përbashkët nuk miratoi letrën e Ministres Hajdari, për mungesë të konsensusit. Ndërkaq Kosova kundërshtoi miratimin e konkluzioneve ministrore dhe të tri propozim-vendimeve, duke përfshirë vendimin e propozuar nga Serbia për njohjen e programit të operatorëve ekonomikë të autorizuar si dhe buxhetin nga i cili paguhet stafi i sekretariatit të CEFTA-s. Komiteti i Përbashkët merr vendimet me konsensus të të gjitha palëve”.

“Në kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve të Kosovës, autoritetet e Serbisë po ndalojnë tani kalimin transit të mallrave, që edhe më parë ka qenë i penguar ose i vështirësuar. Eksportuesit kosovarë nuk po arrijnë të realizojnë porositë nga vendet evropiane, sidomos Gjermania dhe Zvicra”.

“Barrierat e rënduara që Serbia po zbaton ndaj Kosovës janë shkelje e rëndë e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe e parimeve themelore të Organizatës Botërore të Tregtisë. MINT po evidenton veprimet e Serbisë të cilat do t’i kumtojë të partnerët në Bruksel”, u bë e ditur nga kjo ministri.

Tutje, ata bën të ditur se Kosova nuk ka bërë bllokadë në terren për shkak të refuzimit te kërkesës për përfaqësim pa UNMIK-un në mekanizmin rajonal për tregti të lirë, por do të kundërshtojë çdo akt të ri të Komitetit Drejtues të CEFTA-s, për aq kohë sa nuk pranohet kërkesa legjitime e Kosovës për barazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore