Lajme

Kosova dhe Bosnja, dy vendet e vetme jo anëtare të platformës për certifikata dixhitale


Personat e vaksinuar me vaksinën anti COVID në mbarë botën, në momentin që vaksinohen, pajisen me një kod QR dhe përmes tij mund ta dëshmojnë se janë të vaksinuar përmes certifikatës dixhitale COVID-19.

Por këtë nuk mund ta bëjnë edhe kosovarët, pasi Kosova ende nuk është anëtarësuar në platformën e BE-së për certifikatën dixhitale të vaksinimit kundër koronavirusit.

Përveç Kosovës në këtë platformë nuk është e anëtarësuar as Bosnja.

I pyetur nga Albanian Post, zëdhënsi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka përsëritur se ky nuk është faji i Kosovës.

“Kosova ka aplikuar për dixhitalizim të kodit QR të vaksiës në vitin 2021, por kur bëhet varet nga Komisioni Evropin të cilët këtë proces e kanë ndarë në grupe/shtete”.

“Qytetaret e Republikës së Kosovës, shumica prej tyre, udhëtojnë jashtë shtetit me certifikatat e lëshuara të vaksinimit në Kosovë dhe nuk kanë probleme të udhëtimit”, ka thënë Hoti për Albanian Post.

“Probleme ka me leximin e tyre në ato mjedise ku pajisje që e lexon QR Code të certifikatës kosovare nuk është on-line. Në rastet kur pajisjet e tilla janë on-line QR Code i certifikatës kosovare të vaksinimit lexohet pa problem dhe konfirmohen vaksinat e marra”.

“Megjithatë, duke qenë që disa shtete kanë njoftuar edhe me notë verbale MSH se e njohin certifikatën e Kosovës, por në shtete të ndryshme qytetarët kanë tërhequr vëmendjen se nuk është arritur të lexohet QR kodi i certifikatës së tyre, sikur u shpjegua më lart, Kosova është në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian dhe ka aplikuar që certifikata digjitale të njihet në të gjithë shtetet e BE-së”.

“KE do të njoftojë për vendimin që do të marr sipas afateve që ata i përcaktojnë”, ka përfunduar Hoti.

Në anën tjetër shumë shtete të Evropës janë anëtarësuar dhe kanë filluar përdorimin e certifikatave dixhitale.

Ata që kanë certifikatë dixhitale COVID-19 mund të provojnë se janë vaksinuar me aplikacionin CovPass të instaluar në telefonët e tyre të mençur.

Certifikata përfshinë emrin, mbiemrin, datën e lindjes së personit në fjalë, vaksinën e kompanisë që ka marrë si dhe informacione nëse e ka rezultuar pozitiv apo jo me COVID-19.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore