Lajme

“Korrupsioni me milionat e KEK-ut” – Krejt çka ndodhi në seancën e Kuvendit


Parlamenti i Kosoves

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e mbajtur këtë të mërkure u inicua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Temë diskutimi do të ishte arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagim Krasniqi, i cili u arrestua me 19 prill, e që dyshohet për tri vepra penale.

Kjo seancë parlamentare u shoqërua nga akuza e kundër akuza. Ishte opozita që akuzonte pushtetin për përfshirje në këtë aferë korruptive, pasi që ish-kryeshefi i KEK-ut ishte anëtar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë seancë nuk foli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kush çka tha?

Fillimisht, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendoje, Mimoza Kusari-Lila, i propozoi opozitës që të dalin me një mocion tjetër.

Ajo tha se përmes atij mocioni të kërkojnë që drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi të sillet në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vend se të gjykohet në institucionet e drejtësisë.

“Sot opozita po mundohet të shfrytëzoj mekanimizmin që akoma e kanë ndikimin e tyre atë të prokurorisë, duke e kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore”.

Mimoza Kusari-Lila

“Për të realizuar këtë skenar deri në fund i propozoj opozitës që ta bëjnë edhe një mocion sot dhe nga qendra e paraburgimit ku po mbahet zotëri Nagip Krasniqi, të sillet këtu në sallën e Kuvendit ashtu duar lidhur siç e nxorën nga Gjykata dhe të pyetet për të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet e tjera operacionale që janë zhvilluar në KEK gjatë një viti e gjysmë sa ishte ai drejtor”, tha ajo.

Ndryshe, nga pushteti, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se dëmi që ka shkaktuar Nagip Krasniqi Kosovës vetëm në 5 muajt e fundit është 71 milionë euro.

“71 milionë euro kontrata njëburimore për 5 muaj tregon abuzimin e madh që e ka bërë drejtori i KEK-ut”, ka thënë fillimisht ai.

Abelard Tahiri

Sipas tij ka kontrata njëburimore me vlerë mbi 1 milionë euro për shirit transportues për KEK-ut, shërbim të cilën ofrojnë shumë kompani në Kosovë.

“Kjo nuk do koment është një kontratë në të cilën vidhet. Pastaj instalimi i pllakës në bllokun B2 në vlerë preje 680 milionë eurove, pastaj konsulencën për të cilën akuzohet drejtori në vlerë prej 61 mijë eurove që është lidhë si kontratë retroaktiv”, tha ai.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në këtë seancë të Kuvendit ka kërkuar që të ndodh shkarkimi i menjëhershëm i bordit të KEK-ut.

Po ashtu, hetimet të nisin edhe në kontratat që kanë ndodhur gjatë Qeverisë Kurti.

“Duhet hetuar të gjitha kontratat e negociueshme që kanë ndodhur gjatë menaxhimit të KEK-ut nga kjo Qeveri”.

Driton Selmanaj

Selmanaj, tutje ka kujtuar edhe deklaratën e drejtorit të Korporatës së Energjisë së Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi kur është pyetur për takimet që ka pasur me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Do ta citoj se çfarë ka thënë në Komision hetimor, “zotërin Martin Berishaj kurrë nuk e kam takuar” dhe menjëherë pas 5 sekonda, “përveç një herë rastësishtsht para dy tri vjete dhe aq më pak në Zagreb”.

“Megjithatë mediat e thonë krejtësisht të vërtetën gjë që është në dorën e prokurorit ta vërtetojnë këtë, përgjegjësia politike është imperative duhet të ndodh në mënyrë imediate, shkarkimi i bordit të KEK-ut është më e vogla që mund të ndodhë”.

Përplasja Haradinaj – Haxhiu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës e quajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “shefi i të korruptuarve” i cili, sipas tij, është krijuesi i modelit të korrupsionit “lidhje e shkurtër dostat”.

Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar një model të veçantë korruptiv përmes së cilës e ka zhvatur KEK-un.

“Po flasim për një model i veçantë, pra modeli i korrupsionit të LVV-së quhet lidhje e shkurtë korruptive”.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mënjeherë i reagoi Haradinajt.

Sipas Haxhiut, Haradinaj është fajtor për largimin e ish prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj nga Kosova.

Albulena Haxhiu dhe Ramush Haradinaj

“Një prokuror u detyra që ta lëshoj vendin për shkak të teje zotëri Haradinaj, sepse sa ke qenë kryeministër ti i ke kërkuar raport me shkrim që brenda 30 dite me të dhënë informacion për lëndët që i ka në adresim ish prokurori Elez Blakaj”, tha Haxhiu.

“Nuk ke të drejt ti kërkosh llogari prokurorit. Kur flasim për krim e korrupsion duhet ta kujtoj veç me pa pasurinë tende është mjaftueshëm ta kuptojmë për të parë se kush është i përfshirë në krim dhe korrupsion”, shtoi ajo.

Ndërsa Haradinaj tha se “Ministrja Haxhiu është njëra nga të korruptuarat”.

“Albin Kurti ka krijuar modelin e korrupsionit, njëra nga to është ministrja. Po ju lutem mos shkoni në këtë rrugë se do ta pësojë Kosova”, theksoi Haradinaj.

“Me fol pas shpine nuk e di a është e drejtë. Vazhdimisht jam i penguar nga kjo zonjë kur flas në foltore. Kjo është zonjë, më vjen keq të përdor ndonjë fjalor. Faleminderit për ato që i the. Albin Kurti me vetëdije e ka krijuar modelin e korrupsionit lidhje e shkurtër me dosta, në këta dosta është edhe ministrja”, tha ai.

Ministrja Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila u ftua nga partitë opozitare për të diskutuar për arrestimin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka folur për sukseset e KEK-ut pa e komentuar fare arrestimin e Krasniqit.

Ajo madje nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, e ka pyetur opozitën se pse kanë folur rrallë politikat që i ka ndërmarr dikasteri të cilën ajo e drejton në sektorin e energjisë e shpesh për tenderët.

Artane Rizvanolli

Rizvanolli ka mbetur e habitur se si po merren vesh detajet e kontratave të tenderëve, ndonëse këto bëhen publikë në sistemin e “E-Prokurorimit”.

“Desha ta pyes një pjesë të opozitës, pse gjatë këtyre dy vjetëve keni folur aq rrallë për politikat e aq shpesh për tenderët. Pse i dini kaq në detaje. Por nuk po i pyes se unë kam jetuar këtu, ju njoh, ju njohin edhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.

Replika Krasniqi – Rizvanolli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohej për arrestimin e ish kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, ka thënë se abuzimet e qeverisë në sektorin e energjisë prej prodhimit e deri te konsumi nuk janë as të rastësishme as pa dashje.

“Rritja e çmimit të energjisë mbi 100 për qind, marre duhet të ju vije, si dilni e gënjeni këtu. Në mënyrë jo ligjore ua keni paguar serbëve në Veri rrymën. Kjo është piramidë korruptive e në krye është ambasadori Martin Berishaj. Berishajn dhe Kurtin i keni shefa”, tha Krasniqi.

Memli Krasniqi

“Lajmi i arrestimit të Nagip Krasniqit, që ishte në Vetëvendosje. Një kryeministër normal do të duhej që të shkarkonte bordin dhe Kryeshefin. Po ne nuk e kemi pasur këtë situatë këtu. Kryeministri po e mbron e Nagipin, por fillon e sulmon dhe shantazhin komplet sistemin e drejtësisë në një proces që sapo ka filluar’, shtoi ai.

“Janë befasuese sjelljet e shumicës e të kryeministrit sepse në çdo vend normal në momentin kur bëhet publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë së Kosovës, që ka qenë shef për energji në LVV, në atë moment një kryeministër do të duhej të kërkonte shkarkimin imediat sepse kjo është postulat ligjit e kushtetues”.

Ndaj fjalimit të Krasniqit, reagoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila e konsideroi “tragjikomike” që PDK-ja të flasë për sektorin e energjisë.

“Është tragjikomike ta dëgjosh PDK-në se çka duhet të bëhet. Mos t’u kishim njohur, edhe ju kishim besuar. Për rrymën në veri, pse nuk e ndalët ju pagesën, pse e paguat 20 vjet?”, pyetui ajo Krasniqin.

Përplasja Haxhiu – Selmanaj

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në seancën e jashtëzakonshme kërkoi nga deputetët që të mos drejtojnë akuza ndaj Qeverisë për kërcënime të prokurorëve e ndikim në prokurori.

“Ju e dini shumë mirë për çka përkushtohet Qeveria Kurti, neve na duhet një kryeprokuror i guximshëm që nuk e ka bishtin e zënë me derë që nuk i shërben individëve, që nuk i shërben grupeve të interesit. Mirëpo, i shërben ligjit, mandatit të tij dhe Kushtetutës së Kosovës”.

“Mandati i kryeprokurorit të Shtetit është 7 vjet, janë shumë nuk mundemi edhe 7 vjet të qëndrojmë me një kryeprokuror që nuk ka integritet profesional, pra që është i paaftë që nuk njihet për asnjë lëndë mirë të adresuar”, tha Haxhiu.

Për këto deklarata Haxhiut, i reagoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Alublena Haxhiu dhe Driton Selmanaj

“Është thënë vazhdimisht që politika duhet të jetë larg sistemit prokurorial, qasja e ministres dhe kryeministrit është si në Korenë e Veriut e si në Kubë, ju dëshironi ta instaloni kulturën e tillë por nuk do të mundeni”.

“Kryeprokurori duhet të zgjidhet gjithmonë kundër vullnetit të kryeministrit, kundër vullnetit të kryeparlamentarit, kundër politikanëve. Nuk duhet politikanët të kenë vullnet të zgjedhin një kryeprokuror, por duhet të jetë e kundërta”.

“Të jetë një njëri profesional që i shkon në zyre kryeministrit, kryeparlamentarit e kësaj ministre që lidhje nuk ka me drejtësi fatkeqësisht, sa herë që ata vlerësojnë që ka abuzime dhe ka aktivitet kriminal, kësi kryeprokurori i duhet Kosovës”, tha Selmanaj.

Sipas Selmanaj, nuk do të jetë e habitshme nëse do e shohim edhe Haxhiun të burgosur duke u bazuar në mbrojtjen që po ja bon drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Mënyra se si ju po e mbroni zonja ministre Nagip Krasniqin, nuk është çudi nëse edhe juve do ju shohim prapa grilave”, tha ai.

Ndryshe, të mërkurën e 19 prillit, Krasniqi u arrestua nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore