Shqipëria

Korrespondenti i FT-së sqaron deklaratën e Ramës: “Po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”


Korrespondenti i Financial Times për Evropën Juglindore, Marton Dunai, ka sqaruar lapsusin i cili është shkaktuar pas publikimit në faqen e gazetës londineze të intervistës me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Kosova është një pikë e nxehtë”, deklaronte Rama. “[Veriu i Kosovës] është bërë me kalimin e viteve një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

Fraza “Veriu i Kosovës” ishte redaktuar nga gazetari duke lënë të kuptohej se kreu i ekzekutivit shqiptar i referohej të gjithë Kosovës si “një tokë e askujt”.

“E kemi përditësuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar Edi Rama po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, shkruan Martin Dunai në median sociale “X”.

Lidhur me këtë gabim editorial reagoi edhe Partia Demokratike e Shqipërisë duke deklaruar se “Edi Rama duhet me urgjencë të japë sqarime për qëndrimet e tij për Kosovën”.

Deklarata e fundit në Financial Times se: “Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt ….” e shton dhe me shumë dyshimin se kujt po i shërben Edi Rama, u shpreh zëdhënësja e selisë blu Mirela Karabina.

“Nga Shqipëria dhe Kosova i kërkohet kryeministrit të japë sqarime për qëndrimet e tij në dëm të Kosovës, ndërsa aleanca e kullave në konferencën e kryetarëve vendos qe ai nuk ka pse të japë sqarime. Fshehja pas gjoja mocionit me debat, është thjesht një përpjekje për t’i dhënë mundësi Edi Ramës të ikë nga përgjegjësia e tij”, shtoi ajo.

NATO duhet të rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës, thotë Rama për FT-në

Intervista

Kryeministri Rama zbuloi se i kishte tërhequr vëmendjen aleatëve për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë që prej samitit të NATO-s në muajin korrik.

Kështu bënte të ditur londinezja “Financial Times”, duke cituar intervistën me kreun e Qeverisë.

Rama avokoi për një “konferencë të nivelit të lartë” që përfshin liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe riangazhimin e SHBA-ve gjatë bisedimit me botimin britanik duke shtuar se “kjo është [mënyra] më e mirë për të dalë nga kjo çmenduri e pafund”.

Qëllimi, tha ai, ishte “njohja e plotë e Kosovës në BE dhe në Kombet e Bashkuara. Nuk është e lehtë të ndryshosh rrjedhën e historisë, kjo kërkon lidership. Por nëse Franca dhe Gjermania mund ta bëjnë atë [pas Luftës së Dytë Botërore], nëse Arabia Saudite dhe Izraeli mund ta bëjnë atë, atëherë ne e dimë se mund të ndodhë”.

NATO deklaroi më herët se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe që tashmë kanë premtuar qindra ushtarë në krye të forcës ekzistuese prej 4 mijë e 500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj dhe të qetësojë tensionet.

Edhe pse situata e tensionuar në veriun e Kosovës nuk pritej të ishte asokohe në agjendën zyrtare të samitit dyditor në Vilnius, u diskutua rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, një gjë të tillë e pohoi kryeministri shqiptar, gjatë Forumit Publik të NATO-s në bashkëbisedimin me Rachel Rizzo, anëtare e lartë jorezidente në Këshillin Atlantik.

Kreu i Qeverisë konfirmoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara e preku problemin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor gjatë fjalimit të tij në Këshillin e NATO-s.

“Më ngushëllon fakti që Presidenti Biden në fjalimin e tij në Këshill e preku këtë pikë, sepse problemi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor në ditët e sotme mund të mos jetë në të njëjtën përmasa me problemin e madh të Ukrainës, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si i parëndësishëm”, tha Rama.

Situata e tensionuar në veriun e Kosovës u përfshi në samitin e NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore