Shqipëria

NATO duhet të rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës, thotë Rama për FT-në


NATO duhet të rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për londinezen “Financial Times”.

Edi Rama foli për Financial Times pasi paraushtarakët serbë morën peng një manastir në Kosovën veriore, duke marrë të paktën katër jetë, duke përfshirë atë të një polici etnik shqiptar, shkruan botimi londinez.

“Kosova është një pikë e nxehtë”, tha Rama. “Veriu i Kosovës me kalimin e viteve është bërë një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

NATO deklaroi më herët se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe që tashmë kanë premtuar qindra ushtarë në krye të forcës ekzistuese prej 4 mijë e 500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj dhe të qetësojë tensionet.

Rama avokoi për një “konferencë të nivelit të lartë” që përfshin liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe riangazhimin e SHBA-ve.

“Kjo është [mënyra] më e mirë për të dalë nga kjo çmenduri e pafund”, vërejti udhëheqësi shqiptar duke shtuar se ai kishte tërhequr tashmë vëmendjen për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë gjatë një samiti të NATO-s në korrik.

Qëllimi, tha ai, ishte “njohja e plotë e Kosovës në BE dhe në Kombet e Bashkuara. Nuk është e lehtë të ndryshosh rrjedhën e historisë, kjo kërkon lidership. Por nëse Franca dhe Gjermania mund ta bëjnë atë [pas Luftës së Dytë Botërore], nëse Arabia Saudite dhe Izraeli mund ta bëjnë atë, atëherë ne e dimë se mund të ndodhë”.

Jostabiliteti në Ballkanin Perëndimor i shërben interesave të Moskës, nënvizoi Rama.

Rusia e ka mbështetur prej kohësh Serbinë dhe nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Pas pushtimit të Rusisë në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, Beogradi zyrtar i rezistoi thirrjeve perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Kremlin-i do të dëshironte gjithashtu të shihte një Donbas të vogël në Kosovë dhe të ndizte një zjarr separatizmi në mes të Evropës, mendon Rama.

Ndërsa ai nuk ofroi asnjë provë për përfshirjen ruse në shpërthimin e fundit të tensioneve, ai tha se ndërhyrja e Kremlin-it ishte “deduktimi më i thjeshtë që mund të bëni”.

“Ata e bëjnë këtë në të gjithë botën, nga Afrika në Lindjen e Mesme, kështu që sigurisht që do të provojnë në Evropë. Kosova ka qenë gjithashtu një [mjet] për rusët”, theksoi kreu i Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore