Lajme

Kontrabandimi i armëve dhe i terrorizmit në Kosovë bëhet përmes Kishës Ortodokse Serbe, thotë Çanak


Nenad Çanak

Ish-deputeti serb dhe Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka thënë se kontrabdanimi i armëve rrjedhimisht edhe i terrorizmit për në Kosovë bëhet përmes Kishës Ortodokse Serbe.

Një dukuri i tillë, sipas politikanit jotipik serb, i cili përveç bindjeve liberale, është ndër të rrallët që ka pranuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk ndodhë vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje e Hercegovinë e në Mal të Zi.

“Në Bosnjë dhe Hercegovinë, kontrabanda e armëve për kampet terroriste ruse të Dodikut kalon përmes Kishës Ortodokse Serb. Edhe në Kosovë i gjithë terrorizmi dhe armatimi ‘patriotik’ kalon përmes Kishës Ortodokse Serbe”, ka shkruar Çanak në platformën sociale, X.

Mali i Zi, vlerëson ai, përveç se është i armatosur “deri në dhëmbë”, zgjedhjet atje determinon Kisha Ortodokse Serbe.

“Tanket e Ish-armatës Jugosllave të vitit 1991 sot janë kandilat e Kishës së Serbisë”, ka shtuar ai.

Më 24 shtator Kosova u ballafaqua nga një agresion serb i realizuar nga një grup terroristësh mu në krye me Milan Radojçiç-in, ish-nënkryetarin e Listës Serbe.

Grupi terrorist ishte i pajisur me armatime të sofistikuara ushtarake ndërsa kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale me qëllim aneksimin e Veriut, sipas autoriteteve kosovare.

Pas zmbrapsjes së sulmit nga ana e Policisë së Kosovës në dhe rrethinën e Manastirit të Banjës, ku ndodhi sulmi terrorist e mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, u gjet një numër i konsiderueshëm i armatimit ushtarak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore