Lajme

Konkluzionet e Këshillit të BE-së: Vazhdimi i dialogut, siguria në veri dhe përmbushja e kërkesave për heqjen e masave ndëshkuese


Ilustrim

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbutja e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sundimi i ligjit e lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, priten të jenë ndër pikat kryesore të konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (BE).

Këshilli i BE-së do të shpreh shqetësimin për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, përfshirë situatën e brishtë të sigurisë, lirinë e shprehjes dhe kufizimin e pluralizmit në pjesën veriore të Kosovës.

“Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe nga Serbia, sikurse edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në draftin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së, ka transmetuar “Radio Evropa e Lirë” të martën e 5 dhjetorit.

Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet që do t’i miratojnë liderët evropianë në takimet që priten të mbahen në mes të këtij muaji, përkatësisht më 13, 14 dhe 15 dhjetor në Bruskel të Belgjikës, pa anashkaluar edhe shqyrtimin e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës në rast se do të ketë progres në përmbushjen e kërkesave, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

“Këshilli Evropian mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli Evropian rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që t’i heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet ndër të tjera në tekstin e konkluzioneve që pritet të miratohen nga vendet anëtare të BE-së.

Liderët e BE-së presin që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve “pa vonesa dhe pa parakushte”, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë – kërkesë që BE-ja e përkushruan “detyrë urgjente” dhe një ndër “hapat ekzistencialë” për aspiratat euro-atlantike.

“Këshilli Evropian kërkon nga Kosova që të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit, për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën, për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa tjera”, thuhet në tekstin e konkluzioneve.

Kosova pritet të ftohet dhe të angazhohet në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), përfshirë heqjen e vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. BE-ja do të përshëndesë orientimin gjeostrategjik të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore