Lajme

Konjufca për Asociacionin: Mendoj që nuk bëhet hiç, jo more


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Sipas Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk do të bëhet fare, ndonëse qeveria e drejtuar nga Albin Kurti e ka pranuar në parim një draft-statut nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mendoj që nuk bëhet hiç, a din pse – pozicioni i qeverisë dhe shtetit tonë është kështu: ajo mund të bëhet vetëm me njohje, dhe në një marrëveshje e cila është e nënshkruar nga [Aleksandër] Vuçiç-i në emër të Serbisë, e cila e njeh de facto shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Konjufca në një intervistë për “Klan Kosova”.

“Këtë, Vuçiç-i nuk e bënë kurrë. Dhe si rrjedhim ne vijmë tek konkludimi që nëse nuk e bënë ai, nuk do të bëhet as pjesa jonë”.

Ky draft-statut i BE-së, shtoi ai, “i them faleminderit shumë që na keni këshilluar në mënyrë kaq miqësore… çka me ba me atë draft, me implementu a, jo more nuk implemtenohet ai draft”.

“Nëse këto janë këshillat tuaja, faleminderit shumë, por aty ka gjëra shumë problematike. Pse janë ato gjëra, sepse nuk e ka shkruar Kosova”, pohoi kreu i kuvendit.

Madje, kreu i kuvendit e konsideroi si “skandaloze” nenin e draftit evropian për Asociacionin i cili parasheh arbitrazh në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet këtij mekanizmi dhe Autoriteteve Qendrore.

“Jo, jo, ajo e arbitrazhit është skandaloze. Ka shumë pika të dëmshme aty”, deklaroi Konjufca.

Konjufca: E rrezikshme dhe e dëmshme qe BE-ja na shkroi draft

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që “Pesëshja e Madhe”, ia solli Kosovës më 21 tetor, e për të cilin u tha se Kosova e ka pranuar në parim, nuk është fakt i kryer, derisa ka shtuar se është e “rrezikshme” që Bashkimi Evropian e ka shkruar draftin për Kosovën.

“Ky draft nuk bënë të konsiderohet fakt i kryer, është gabim prej gjithkujt, ka pasur drafte edhe më herët, dallimi është që po ta sjellë Bashkimi Evropian. Ky është ndryshe nga draftet e tjera, por nuk është fakt i kryer”, tha Konjufca në një intervistë për “Klan Kosova”.

“Kjo i bie kështu: që e para pozicioni i Kosovës, mua si mu ka dukur pozicionimi më i drejtë dhe më i qartë që BE-ja nuk e ka atë kompetencë: kompetencën e draftit të shkruarjes së draftit”.

I pyetur se nëse i është thënë një gjë e tillë Unionit nga kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, por edhe vetë ai se një gjë e tillë nuk është kompetencë e tyre, ai theksoi se i “themi vazhdimisht”.

“Nuk ka një draft që është draft, i cili është fakt i kryer, që Kosova duhet që ta zbatojë, kush të ka thënë kështu. Ky është pretendim shumë i pambështetur, dhe e cenon mendimin e qytetarëve të Kosovës”, shtoi.

Sipas Konjufcës, është “shumë e dëmshme, shumë e rrezikshme për integritetin, për karakterin e shtetit tonë me të shkru draft komunave të Kosovës BE-ja, është gabim”.

Konjufca: S’kemi marrëveshje me Serbinë

Ndonëse bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë se Marrëveshja Bazike [Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars] është valide dhe e detyrueshme për të dyja palët, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë këtë të mërkure se Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë.

“Ne nuk kemi marrëveshje me Serbinë, dhe kjo e bënë edhe më të komplikuar situatën”, ka thënë Konjufca në një intervistë për “Klan Kosova”.

“Qe pse unë mendoj se nuk kemi marrëveshje”, filloi arsyetimin e tij, “Serbia në çdo veprim dhe çdo hap po i shkel detyrimet të cilat i ka marrë [Marrëveshja Bazike: Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars], prej çështjes së targave, përfshirja në sulmin terrorist, mosndëshkimi dhe shpallja ditë zie për sulmin terrorist – çka tregon se vetë shteti po ndjenjë dhe po qëndron mbrapa këtij grupi drejtpërdrejtë – e deri tek dorëzimi i letrës së Ana Branbiç-it në Bashkimin Evropian, që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”.

“A e dini ju çka do të thotë një shtet për me dorëzu një letër për një shtet tjetër i cili nuk e respekton integritetin territorial; mendoj se ai shtet po tregon që është i gatshëm me nis luftë”, shtoi.

Konjufca: Ndërkombëtarët e shohin Vuçiç-in si njeri me të cilin mund të bësh marrëveshje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se që nga koha kur presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiç, e ka marrë pushtetin në Serbi, bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë tolerante ndaj tij.

“Që nga fitorja e Vuçiç-it, bashkësia ndërkombëtare e ka aplikuar vërtetë një tolerancë shumë të lartë dhe një mirëkuptim, për mua të pakuptueshëm, ndaj Vuçiç-it”, ka thënë Konjufca në një intervistë për “Klan Kosova”.

Pra, sipas kreut të kuvendit, Vuçiç-in, ndërkombëtarët “e vlerësojnë si një njeri me të cilin mund të bësh marrëveshje, mund të hysh në ujdi ekonomike, dhe mund të shpresohet në të në siguri”.

“Këto kanë qenë tre parametra, të cilët e kanë karakterizuar vlerësimin e bashkësisë ndërkombëtare për Vuçiç-in, dhe për këtë arsye nuk është sanksionuar pushteti i tij, përkundrazi është parë me një far simpatie”, theksoi Konjufca, derisa komentonte faktin se përkundër sulmit terrorist në Banjë, ndaj Serbisë nuk janë marrë masa ndëshkuese.

“Mua më kujtohet edhe në biseda me ndërkombëtarë… kjo për mua ka qenë tronditëse dhe e çuditshme gjithmonë”, shtoi.

Ndërsa, sa i përket sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, Konjufca nuk ka asnjë dyshim se prapa tij qëndron presidenti serb Vuçiç, pasi që, sipas tij, të gjitha faktet tregojnë se ai ka qenë në dijeni para se të ndodhë sulmi 24 shtatorit.

“Po ky vërtetë që ishte një vit i ndërlikuar dhe i vështirë. Mbi të gjitha për shkak të relacioneve që i kemi me Serbinë. Një Serbi e cila ka zgjedh që të jetë shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës dhe e cila me çdo veprim institucional edhe me çdo veprim edhe jashtë-institucional na bindë që synimin kryesor e ka që ta mbajë Kosovën të destabilizuar dhe me një ambicie e cila kurrë nuk i shuhet asaj”.

“Ka fakte të bollshme për përfshirje të institucioneve shtetërore të Serbisë në atë sulm i cili ishte edhe terrorist, por në të njëjtën kohë mund ta quajmë edhe akt të agresionit. Meqenëse nuk ishte thjeshtë një grup privat aty. Faktet edhe të inteligjencës edhe të institucioneve tjera të sigurisë dhe të gjitha institucioneve shtetërore tregojnë që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk mund të mos e ketë ditur për këtë sulm”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore