Lajme

Kongo: Gjykata dënon me vdekje 51 persona për vrasjen e hetuesve të OKB-së


Zaida Catalan -  një anëtare e Partisë së Gjelbër të Suedisë, e cila u vra ndërsa ishte në një mision të OKB-së në Kongo.

Pas një gjyqi që zgjati gati pesë vjet, 51 persona të shpallur fajtorë për vrasjen e hetuesve të Kombeve të Bashkuara Michael Sharp dhe Zaida Catalan u dënuan me vdekje nga një gjykatë ushtarake në Kongo.

Shumë prej dënimeve u dhanë në mungesë, pasi të dyshuarit ose nuk u arrestuan kurrë ose u arratisën nga paraburgimi.

Kongo ka respektuar një moratorium mbi dënimin me vdekje që nga viti 2003, kështu që ata që dënohen me vdekje ka të ngjarë të vuajnë dënimin e përjetshëm.

Kur u vranë zyrtarët e OKB-së?

Sharp dhe Catalan u vranë më 12 mars 2017, në rajonin qendror Kasai të Kongos. Ata ishin në një vizitë në terren me përfaqësuesit e Kamwina Nsapu, një milici aktive në Kasai, shefi i zakonshëm i së cilës Jean-Pierre Mponde u vra nga trupat e ushtrisë kongoleze në gusht 2016.

Sharp ishte nga Shtetet e Bashkuara dhe Catalan-i nga Suedia.

Dy ekspertët e OKB-së po hetonin dhunën në Kasai në emër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Qeveria kongoleze fajëson për vrasjet anëtarët e milicisë Kamwina Nsapu.

Gjithashtu qeveria fillimisht mohoi përfshirjen e ndonjë agjenti shtetëror, por më vonë një numër zyrtarësh u arrestuan.

Koloneli Jean de Dieu Mambweni u dënua me dhjetë vjet të shtunën për dështimin për të ndihmuar një person në rrezik. Një zyrtar lokal i imigracionit, i cili ishte takuar me Sharp dhe Catalan-an një ditë përpara misionit të tyre, u dënua me vdekje.

Gjykata ushtarake shpalli të pafajshëm gazetarin Trudon Raphael Kapuku dhe oficerin e policisë Honore Tshimbamba, të cilët u arrestuan veçmas në vitin 2018 dhe kanë kaluar katër vjet burg.

Hetimet ‘dështuan të zbulonin të vërtetën e plotë’

Studiuesi i lartë i “Human Rights Watch” në Kongo, Thomas Fessy, tha se “hetimi dhe ky gjyq nuk kanë arritur të zbulojnë të vërtetën e plotë për atë që ka ndodhur”.

“Autoritetet kongoleze, me mbështetjen e OKB-së, tani duhet të hetojnë rolin kritik që zyrtarët e lartë mund të kenë luajtur në vrasjet”, tha Fessy në një postim në Twitter.

Ministrja suedeze e Punëve të Jashtme Ann Linde tha në Twitter se hetimet duhet të vazhdojnë.

“E rëndësishme që hetimi në lidhje me të tjerët të përfshirë të vazhdojë të zbulojë më tej të vërtetën dhe të sjellë drejtësi”, tha Linde. “Ne inkurajojmë autoritetet që të bashkëpunojnë plotësisht me mekanizmin e OKB-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore