Lajme

Konflikti Milanoviç-Plenkoviç lë Kroacinë pa ambasadorë në vende të rëndësishme


Zoran Milanovic dhe Andrej Plenkovic

Konflikti i vazhdueshëm në mes të dy udhëheqësve të dy institucioneve kryesore kroate, presidentit Zoran Milanoviç, dhe kryeministrit Andrej Plenkoviç, ka ndikuar që Kroacia të mos ketë ambasadorë në qytetet kryesore botërore.

Siç shkruan media kroate “Veçernjilist”, Kroacia nuk ka ambasador në Britani të Madhe, pasi që Igor Pokaz, e kishte lënë mandatin e tij për arye private, dhe kjo kishte ndodhur menjëherë pas kurorëzimit të mbretit Chales III, duke lënë bosh, pa përfaqësim diplomatik shtetin kroat në një nga vendet më të rëndësishme botërore.

Siç thuhet në artikullin e medias kroate kjo mungesë e përfaqësimit diplomatik po ndodh në një situatë ku lufta në Ukrainë vazhdon dhe kur informacioni dhe koordinimi diplomatik janë jashtëzakonisht të rëndësishëm strategjikisht dhe konkretisht, Kroacia u gjend në një situatë ku nuk ka një ambasador në qytetet kryesore të botës – tani në Londër, dhe më parë në Paris.

Pos kësaj, Kroacia nuk ka ambasadorë në Vatikan e as Lituani – vend ku është duke u mbajtur samiti i NATO-s.

E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i mos koordinimit në mes të qeverisë dhe presidentit – në fakt dakordimi në mes të këtyre dy institucioneve kroate ka munguar që nga fillimi i mandatit të presidentit Zoran Milanoviç.

Mos koordinimin e tyre e shprehin edhe në deklarimet e tyre publike, madje sa i përket çështjes konkrete, nga zyra e Milanoviç-it thonë se i njëjti është i gatshëm të diskutojë për emërimin e ambasadorëve, ndërsa nga qeveria potencojnë se presidenti ka në tryezë një listë me emra të propozuar të cilët presin vendimin e kreut të shtetit kroat.

Plenkoviç refuzon që ta takojë Milanoviç-in apo të komunikojë drejtpërdrejtë me të, kjo për shkak se siç thotë e përditshmja kroate do t’i jepte legjitimitet gjithçkaje që ka deklaruar deri më tani presidenti.

“Gjithçka mund të vazhdojë të funksionojë normalisht. Propozimet janë në tryezën e tij, ai po e bllokon procesin”, ka potencuar një burim qeveritar për “Veçernje List”.

Hera e parë dhe e vetme kur dyshja Milanoviç-Plenkoviç ranë dakord për një emërim të ambasadorit ishte rasti i Hidajet Bisçeviç, i cili u dekretua që të udhëheqë misionin diplomatik të Kroacisë në Serbi.

Që atëherë, që ishte fillimi i vitit 2020, ata nuk kanë arritur të bien dakord për asnjë emër tjetër. Tre vjet e gjysmë më vonë është krijuar një situatë ku postet e ambasadorëve, në vende të rëndësishme, janë ende vakante për një kohë të gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore