Lajme

Konfiskohen mallra të paligjshme në Veri


Foto: Albanian Post nga arkivi.

Një rast i kontrabandës me mallra në Mitrovicë të Veriut është parandaluar, të hënën e 25 marsit nga Policia e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media.

“Automjeti VW ngjyrë e kaltër, me targa serbe, me ngasës mashkull kosovar, në të cilin kishte të ngarkuar një sasi të konsiderueshme të pijeve alkoolike (birrë) ne vlere rreth 1200 euro”.

“Automjeti Furgon Mercedes, ngjyrë portokalli dhe e bardhë, me targa serbe, me ngasës mashkull kosovar në të cilin kishte të ngarkuar kazan(8 copë) që shërbejnë për prodhimin dhe përpunimin e pijeve alkoolike (raki) ne vlere rreth 5600 euro”, thuhet në komunikatë.

Nga policia është thënë se vozitësit nuk posedonin dokumentacion mbi prejardhjen e mallit të ngarkuar.

“I njëjti është konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor, kurse ndaj vozitësve janë zbatuar procedurat e zakonshme për kalim ilegal të kufirit”.

Edhe më 22 janar, ishte konfiskuar një sasi e konsiderueshme e mallrave të paligjshme në Zveçan.

Ky aksion thuhej se ishte realizuar mes njësive të Doganës dhe Policisë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar trafikun e mallrave të paligjshme.

Edhe më 6 janar, Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kishte , konfiskuar mbi 10 mijë euro mallra të kontrabanduara në një biznes për tregtim të telefonave në Komunën e Gjakovës.

“Ky operacion ka rezultuar në sekuestrimin e një sërë pajisjesh, duke përfshirë telefona, orë dore dhe pajisje të tjera përcjellëse, për të cilat palës i mungonte dokumentacioni dhe dyshohet se janë kontrabanduar. Vlera e mallit e sekuestruar shkon përtej shifrës së 10 mijë eurove”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Ky operacion, sipas Doganës së Kosovës, ishte realizuar në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta të Njësive Antikontrabandë dhe Prokurorisë Themelore për luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme në fushën e importit dhe eksportit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore