Shqipëria

Koncesioni i sterilizimit, biznesmeni Ilir Rrapaj shoqërohet nga Policia


Është shoqëruar nga Policia, pasi nuk u paraqit nën thirrjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK për dëshmi, biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili është i lidhur me çështjen e njohur si “Koncesioni i sterilizimit”.

Ai është shoqëruar pikërisht për t’u marrë në pyetje mbi këtë hetim që SPAK po zhvillon, pasi kompania “Investital LLC”, ka fituar të drejtën e koncesionit të majmë me vlerë 100 milionë euro.

Ai tashmë pritet t’i përgjigjet prokurorëve lidhur me detajet e këtij përftimi.

Sipas një hetimi të gjatë të medias BIRN, për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Perugias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1 mijë e 500 eurosh.

Në vitin 2013, me ardhjen e socialistëve në pushtet, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës, u kthye në Shqipëri. dy vjet më pas, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, ai u shpall fitues i kontratës koncesionare prej 100 milionë eurosh, por me një tender tejet të kundërshtuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1 mijë eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40% të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si: “S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.

Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit.

Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP.

KPP-ja ka kërkuar rivlerësimin e vendimit fillestar të KVO-së, por kjo e fundit ka marrë një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC si fitues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore