Lajme

Komuna e Gjilanit me borxh 15 milionë euro


Komuna e Gjilanit.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë publike obligimet financiare të komunës që udhëheq dhe sipas asaj që ka prezantuar, borxhi mund të shkojë në mbi 25 milionë euro.

Ndërsa, aktualisht është rreth 15 milionë euro.

Sipas njoftimit nga Komuna e Gjilanit, obligimet financiare janë krijuar sidomos në tetë vitet e fundit.

“Ne jemi zotuar për transparencë. Qasja jonë është dhe do të jetë e tillë përgjatë të gjithë mandatit, andaj edhe si institucion komuna është e hapur dhe mirëpret qytetarët e palët e ndryshme për takime”, ka thënë Hyseni, përcjell Zyra për media e Komunës së Gjilanit.

Ndërkaq, sipas tij bëhet fjalë për mbi 11 milionë euro obligime financiare jokontingjente (obligime që mund të rrjedhin nga kontestet e ndryshme në të ardhmen) dhe rreth 14.5 milionë euro obligime financiare kontigjente.

Të dhënat e Komunës së Gjilanit.

“Për këto dy muaj të qeverisjes tonë, në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kemi pranuar njoftimin nga përmbaruesi për obligimet që do të ekzekutohen përmes procedurës përmbarimore. Vlera e këtyre obligimeve është 3,500.000 euro! Shumica e detyrimeve janë nga shpronësimet”.

“Të njëjtat janë bërë pa përfillur procedurat ligjore, ku fillimisht duhet zotimi i mjeteve e më pas edhe zbatimi i procedurës së eksproprijimit”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa, komuna ka paralajmëruar që do të marrë masa më serioze.

“Nuk arsyetohemi. Ne do të punojmë. Nuk e përdorim si justifikim të kaluarën. Punojmë për të ardhmen. Do të gjejmë shkelësit. Do t’i denoncojmë ata. Do të ndalim zhvatjen. Do të kthejmë dinjitetin e munguar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore