Lajme

Komuna e Drenasit paditet për mosekzekutim të pagave


Komuna e Drenasit.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se komuna e Drenasit është paditur për shkak të mosekzekutimit të pagave të mësimdhënësve.

Ai ka thënë se mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me komuna, por ndalesa e pagesës është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave.

“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo, mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komuna, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga një lehone”.

Dokument i publikuar nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Tutje, ai është shprehur i shqetësuar për situatën aktuale në Kosovë.

Unë si kryetar komune po e përcjell me mjaft shqetësim një situatë të tillë, në të njëjtën kohë i bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, rrjedhimisht Ministrisë së Financave që të gjej zgjidhje dhe të bëj ekzekutimin e pagave për të gjithë mësimdhënësit, në të kundërtën do të kemi ngarkim të sistemit gjyqësor, rrjedhimisht dëmtim të buxhetit nga shpenzimet procedurale nëpër gjykata”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Ministria e Financave, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Thesari i Shtetit do të mund të procedojë sot ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve në rast se ata pranojnë të zëvendësojnë orët shtesë sipas kalendarit të ri mësimor nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Në njoftim më tej bëhet e ditur se Ministria e Financave ka kërkuar nga Organizatat Buxhetore që të rikonfrimojnë listat e pagave të mësimdhënësve në atë mënyrë që kjo e fundit të vendos për procedimin apo jo të pagave si paradhënie për orët e humbura të Shtatorit, të cilat duhet të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga Ministria e Arsimit.

“Përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ndryshe pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore