Lajme

Komisioni Hetimor për Energjinë Elektrike voton listën fillestare të dëshmitarëve për intervistim


Komisioni Hetimor për Energjinë.

Të premten e 1 korrikut është votuar lista fillestare e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Kryetari i këtij Komisioni Hajdar Beqa bëri të ditur se ka dakordim paraprak që në fazën e parë të ftohen të gjitha kryesuesit e Bordeve në çdo nivel, ministra të linjës dhe këshilli ndërministror.

Sa i përket pikës për shqyrtimin e CV-ve të ekspertëve është shtyrë për një mbledhje tjetër pas votimit të buxhetit për këtë komision.

Me 28 qershor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që të ftohen për raportim ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Por, kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, kishte theksuar se “nëse mundet kryeministri Kurti me i marrë nga Haga dhe me i sjellë këtu, atëherë ne po pajtohemi”.

Komisioni parlamentar për hetimin e keqpërdorimeve me energjinë elektrike, nga viti 2006.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, kishte kërkuar që të ftohen për të raportuar ish-ministrja e Energjisë Justina Shiroka-Pula dhe ish-ministri i Financave Bedri Hamza.

Po ashtu është propozuar nga deputeti i LV-së, Armend Muja që të ftohet për raportim edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Më 5 maj, partitë opozitare dhe ato në pozitë janë dakorduar për formimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për Energjinë.

Njëri komision është sipas kërkesës së opozitës, për hetimin e menaxhimit të krizës në muajt e fundit, ndërsa tjetri me kërkesë të pushtetit, për çështjen e energjisë që nga viti 2006.

Kështu kishte bërë të ditur në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Pra, jemi pajtuar për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që mund të zbardh të vërtetat për atë së çfarë ka ndodhur. Ajo që është e rëndësishme është që tash kemi darkordim për këtë çështje”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.

Ai shtoi se dy komisionet do të kenë agjendë dhe deputetë të ndryshëm, pra nuk interferojnë me njëra-tjetrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore