Lajme

Themelohet komisioni hetimor për krizën energjetike


Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e të enjtes ka miratuar komisionin hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Ky komision është miratuar me 93 vota, ndërsa anëtarët e këtij komisioni do të jenë: Driton Selmanaj- kryetar, Eliza Hoxha- anëtare, Ferat Shala- zv.kryesues, Besian Mustafa-anëtar, Pal Lekaj- anëtar, Artan Abrashi- anëtar, Enver Haliti- anëtar, Jeta Stratovci- anëtare, Mimoza Kusari- Lila- anëtar, Adem Hoxha- anëtar, Fridon Lala- anëtar.

Ndryshe, partitë opozitare dhe ato në pozitë janë dakorduar për formimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për Energjinë.

Njëri komision do të jetë sipas kërkesës së opozitës, për hetimin e menaxhimit të krizës në muajt e fundit, ndërsa tjetri me kërkesë të pushtetit, për çështjen e energjisë që nga viti 2006.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Pra, jemi pajtuar për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që mund të zbardh të vërtetat për atë së çfarë ka ndodhur. Ajo që është e rëndësishme është që tash kemi darkordim për këtë çështje”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.

Ai shtoi se dy komisionet do të kenë agjendë dhe deputetë të ndryshëm, pra nuk interferojnë me njëra-tjetrën.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, bëri të ditur se Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë i iniciuar nga opozita do të udhëhiqet nga Driton Selmanaj i LDK-së.

“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u dakorduam që drejta e opozitës është e pakontestueshme. Në këtë rast kërkesa për formimin  e komisionit hetimor parlamentar do të realizohet dhe siç kam deklaruar, jam i hapur që të përkrahim edhe propozimin nga radhët e pushtetit. Ka një pajtim që do të formohet dy komisione  dhe Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Sjellja e papërgjegjshme po shpresoj që ka marr fund dhe Kuvendi duhet të hyj në punën e vetë normale dhe të kryej funksionet kushtetuese”.

“Kryesinë hetimor të kërkuar me 40 nënshkrime do të kryesohet nga Driton Selmanaj”.

Seanca e Kuvendit të Kosovës, të enjten e 5 majit është përcjellur me tensione.

Këtë herë deputetët e partive opozitare përveç se kanë goditur tavolinat e kanë fishkëlluar, kanë larguar edhe kutinë e votimit në të cilën do të vendoseshin votat e deputetëve për zgjedhjen e dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, në shenjë proteste pasi që nuk u vazhdua seanca paraprake në të cilën parashihej formimi i komisionit hetimor për energjinë.

Ndonëse salla e seancës ishte përgatitur për votim, i pari që ka larguar kutin e votimit nga vendi ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Më pastaj, kutia u vendos në vendin e vetë nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, por i menjëhershëm qe reagimi i Shefit të Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili largojë kutinë e votimit, përsëri, në mënyrë më të vrazhdë, duke e përplasur atë në tokë.

Një gjë e tillë bëri që deputetët e pozitës dhe opozitës të mblidhen përpara foltores së kuvendit, për të shprehur mllefin njëri tjetrit.

Megjithatë situata nuk u përkeqësua më tej, pasi që Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërhyrë duke thirrur mbledhje të kryesisë së Kuvendit.

Më 19 prill, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, nuk është votuar mocioni për futjen në rend të ditës formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Komisioni hetimor do të shikonte të gjitha masat e marra gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën, Kuvendi kishte votuar në fundin e vitit të kaluar.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje argumentuan se opozita kishte bërë shkelje ligjore, pasi nënshkruesit e kërkesës për këtë çështje, nuk mund ta kryesojnë komisionin hetimor.

Më 29 dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.

Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Në fillim të muajit prill, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore