Kosova

Shtyhet mbledhja e Komisionit për Energjinë, VV kërkon që Thaçi e Veselit të ftohen dëshmitarë


Është shtyrë për një ditë tjetër mbledhja e Komisionit Hetimor për Energjinë, i cili do të hetojë proceset vendimmarrëse në këtë sektor për periudhën 2006-2022.

Deri te kjo erdhi pasi partitë opozitare nuk e kanë votuar listën e propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, për t’i ftuar si dëshmitar në Komisionin Hetimor për Energjinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që të ftohen për raportim ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Por, kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka theksuar se “nëse mundet kryeministri Kurti me i marrë nga Haga dhe me i sjellë këtu, atëherë ne po pajtohemi”.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar që të ftohen për të raportuar ish-ministrja e Energjisë Justina Shiroka-Pula dhe ish-ministri i Financave Bedri Hamza.

Po ashtu është propozuar nga deputeti i LV-së, Armend Muja që të ftohet për raportim edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Ai iu përgjigjur kritikave të opozitës duke thënë se kjo listë nuk është politike e as e pretenduar kundër ndonjë personi.

“Nuk kemi pretendime kundër asnjë personi, por arsyeja është se këta persona kanë pasur dorë në vendimmarrje”, theksoi Muja

Ky Komision është formuar më 5 maj të këtij viti për hetimin e procesit të energjisë në vend që nga viti 2006 deri në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore