Lajme

Komenti i pazakontë i presidentit kroat për dokumentet sllovene për ndryshim kufijsh


Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka komentuar lidhur me dokumentin që po qarkullon ditëve të fundit në media mbi ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Milanoviç tha se dokumenti i pretenduar mbi ndryshimin e kufijve në Ballkan ishte një “m*t i madh” dhe shpreson se nuk është një ide nga Sllovenia, shkruan e përditshmja kroate index.hr, transmeton Albanian Post.

“Kur bëhet fjalë për një prishje paqësore të Bosnjës dhe Hercegovinës, është një temë kaq e pavlerë dhe e rrezikshme sa nuk duhet të vihet as në letër, kjo vlen për këdo që e ka shkruar atë letër”, u tha presidenti kroat gazetarëve.

Sipas tij, çdo mosmarrëveshje paqësore është jashtë diskutimit. Ai shpreson që dokumenti jozyrtar diplomatik të mos jetë nga Ljubljana.

“Objektivisht, unë e respektoj politiken sllovene, dhe nuk mendoj se ata janë aq të cekët”, ka thënë tutje presidenti kroat.

Ai e kundërshtoi mundësinë e prishjes së BiH dhe kërkoi që kroatëve t’u ktheheshin të drejtat e tyre themelore kushtetuese nga Dejtoni.

“Për sa më përket mua, nuk flitet për ndarjen e BiH. Ajo për të cilën dua të flas është dhënia e të drejtave themelore kushtetuese nga Dejtoni, që i përkasin popullit kroat dhe që janë mohuar dhe madje janë vjedhur”, tha Milanoviç.

Milanoviç, pa komentuar nuk la as presidentin serb Aleksander Vuçiç, i cili sipas tij – “qëndron pas idesë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Një lloj kombinatorizmi që shkon përtej imagjinatës dhe skenaristëve të serialeve më të mirë të krimit në Beograd, të tilla si Manjati e Močvara”.

Prononcimin e tij, Milanoviç, e përmbyll duke thënë se – “Nuk ka asgjë prej kësaj punë. Kushdo që është autori, t’i mbaj gishtat larg nga BiH”.

“Pavarësisht nëse vjen nga ai (Jança) apo jo, nuk kam ide, por do t’i thosha cilitdo që është autori të mbajë gishtat kryq nga Bosnja dhe Hercegovina,” vuri në dukje Milanoviç.

Ndërsa lidhur me këtë letër, ditë më parë ka reaguar edhe Presidenti i Sllovenisë, i cili në një konferencë për media ka thënë se  “është i përkushtuar ndaj integritetit të BiH dhe se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan”.

Por, kryeministri slloven, Janez Jansa, e ka mohuar dërgimin e një letre të tillë në Bruksel.

“Akuzat janë një përpjekje nga opozita e brendshme për të më kompromentuar, para se Sllovenia të marrë presidencën e Bashkimit Evropian në fillim të korrikut”, ka thënë Jansa.

Portali Slloven Uncensored publikoi përmbajtjen e letrës pa titull dhe nënshkrim, të shkruar në anglisht, dhe u transmetua nga shumë media të tjera në Slloveni, me kusht që të mos konfirmohej as nga Këshilli Evropian dhe as nga Komisioni Evropian.

Dokumenti diplomatik jozyrtar përfshinte copëtimin e BiH, aneksimin e Republika Srpska në Serbi dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe titullohet “Ballkani Perëndimor – rruga përpara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore