Sport

Kombëtarja U21 e Kosovës udhëtoi në Katar


Një grup Kombëtares së Kosovës U21 ka udhëtuar të hënën drejt Dohas, ku më 26 dhe 29 mars do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore me Kombëtaren U21 të Katarit.

Udhëtimi i Dardanëve të rinj ishte parashikuar për të dielën në mbrëmje, por ai u shty për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe anulimit të linjës ajrore.

Nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” udhëtuan stafi dhe lojtarët që luajnë në klubet vendore, derisa pjesa tjetër e futbollistëve do t’i bashkohet ekipit në Doha.

Para se të niseshin, trajneri Michael Nees foli për faqen zyrtare të FFK-së duke u shprehur i lumtur që u për mundësinë për ta realizuar udhëtimin në Doha për zhvillimin e këtyre dy miqësoreve.

“Edhe më parë kam qenë me Kombëtaren U21 në vazhdimësi si drejtor teknik. I kam qëndruar afër Rafet Prekazit dhe stafin e tij. E njoh ekipin, pasi kam pasur mundësi t’i ndjek nga afër lojtarët që prej ekipeve tjera zinxhirë, prandaj jam i lumtur që do të kemi këtë kamp stërvitor në Doha dhe që do t’i luajmë dy ndeshje miqësore me Katarin” theksoi Nees.

Michael Nees, e cilëson këtë udhtim, një test shumë të rëndësishëm para ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian “Euro U21” të kombëtares së Kosovës.

“Kualifikimet fillojnë në qershor dhe nuk kemi kohë për të humbur. Shpresoj që çdo lojtar të mbërrijë në gjendje të mirë në Katar. Normalisht se ky kamp dhe ndeshjet miqësore do të na shërbejnë si përgatitje për ndeshjet kualifikuese. Kemi dëshirë që çdo lojtari t’ia japim minutat e mjaftueshëm për t’i treguar vlerat e veta në stërvitje, por po ashtu për ne është shumë e rëndësishme që ta shohim këtë kamp si test final para ndeshjes kualifikuese me Andorrën në qershor”, përfundoi Michael Nees.

Kujtojmë që Kombëtarja U21 e Kosovës, gjendet në grupin G, në kualifikimet për në “Euro U21”, së bashku me Shqipërinë, Anglinë, Slloveninë, Çekinë dhe Andorrën, ku me këta të fundit do ta hapë kampanjën kualifikuese më 8 qershor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore