Shqipëria

Koçiu: Projektligji për shëndetin riprodhues u hodh në konsultim publik, reflekton praktikat ndërkombëtare


Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka thënë se projektligji për shëndetin riprodhues ka ardhur paralelisht me një sërë politikash shëndetësore dhe sociale.

Koçiu i është përgjigjur po ashtu akuzave se projektligji është hartuar në fshehtësi në klinika private dhe për interes të tyre.

Ministrja ka theksuar se prej disa ditësh projektligji i është nënshtruar konsultimit publik.

“Projektligji ‘Për shëndetin seksual dhe riprodhues’ vjen në mënyrë organike paralelisht me një sërë politikash shëndetësore e sociale që kanë impakt në përmirësimin e shëndetit seksual, sidomos për të rinjtë e adoleshentët, por edhe atij riprodhues, me synim përcaktimin e rregullave të qarta, sipas praktikave më të mira kombëtare e ndërkombëtare në lidhje me organizimin, funksionimin dhe monitorimin e veprimtarive që zhvillohen në këtë fushë”, ka thënë ministrja.

Sipas saj, prej disa ditësh ky ligj i është nënshtruar konsultimit publik në regjistrin elektronik të konsultimit publik, procedurë kjo që ndihmon në përthithjen dhe reflektimin e mëtejshëm të opinioneve të grupeve të interesit, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave jo fitimprurëse, atyre të shoqërisë civile, të cilat janë të angazhuara në çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues, të të drejtave të të rinjve dhe adoleshentëve, grave etj.

“Pas përfundimit të këtij procesi, ligji do të reflektojë edhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime, deri në rrugëtimin e tij në Parlament”, ka shtuar ajo.

Është zbardhur sakaq projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, i cili ka si qëllim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të individëve.

Referuar projektligjit, një vajzë mbi 16 vjeçe mund të vendosë vetë nëse do të abortojë apo jo. Mirëpo, një nga prindërit duhet të informohet mbi vendimin në fjalë.

Në projektligj po ashtu përcaktohet se prindërit nuk informohen në rastet kur ka rrezik për dhunë.

Sipas projektligjit ndërprerja e shtatzënisë kryhet në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose jo publik që plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj.

Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda 14 javëve të para të shtatzënisë duke u shtyrë me dy javë, pasi në ligjin ekzistues abortet vullnetare kryhen brenda 12 javëve të para.

Në këtë ligj parashikohen dhe teknikat e ripordhimit invitro.

Sipas projektligjit, teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar, përdoren edhe për parandalimin e disa sëmundjeve me origjinë gjenetike, që mund të transmetohen nga prindi te fëmija.

Aplikimi i teknikave për trajtimin e infertilitetit fillon pas moshës 18 vjeçare dhe përfundon në moshën 53 vjeçare.

Kuadri i ri ligjor përcakton dhe afatet e reja për dhuruesit, duke përcaktuar dhe një limit deri në 5 të qelizave riprodhuesve, si për dhuruesit e spermatozoideve, ashtu edhe për dhuruesen e vezëve.

Ndërkaq, e drejta për riprodhim mjekësor të asistuar, përfshin te drejtën e riprodhimit për çiftet heteroseksuale dhe femrës pa partner.

Rregullime ligjore ka dhe për shtatzënitë surrogative, e cila bëhet në bazë të një marrëveshjeje me shkrim midis gruas që dëshiron të ketë një fëmijë, por që ndodhet në kushtet e pamundësisë mjekësore, dhe gruas që do të bartë fetusin në mitrën e saj dhe do të lindë fëmijën për llogari të së parës.

Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile.

Gruaja zëvendësuese nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. Nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore