Lajme

KMDLNJ: Kryetari i bordit të ZRRE-së “i pasinqertë” dhe “mashtrues”, favorizon krimin e organizuar në Veri


Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ).

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që rritja e çmimit të rrymës të mos prek Veriun dhe që serbët të vazhdojnë mos ta paguajnë energjinë.

“ZRRE, ashtu siç e kishte paralajmëruar opinionin KMDLNj-ja, dje mori vendim që faturat e rrymës vetëm për shqiptarë dhe joserbë të rriten afërsisht 15,4 për qind që ishte më shumë se 2.5 për qind nga kërkesa fillestare për rritje të çmimit  të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e KMLDNj-së.

“Natyrisht se kjo rritje nuk i prekë as edhe për një cent të vetëm serbët të cilët, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera në ndërkohë që kanë punuar për interesa të Serbisë dhe kundër institucioneve të Kosovës”.

Nga KMDLNJ-ja është përmendur edhe fakti që qytetarët e tjerë gjithmonë kanë qenë të obliguar të paguajnë energjinë, pavarësisht gjendjes së rëndë financiare.

“Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, me lirimin nga pagesa për këto detyrime për të cilat shqiptarët dhe joserbët, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike, nëse nuk i kanë paguar me kohë kanë përfunduar në gjykatë apo te përmbaruesi”.

Ky këshill e etiketoi kryetarin e ZRRE-së si “mashtrues” dhe të “pasinqertë”.

“Është e vërtetë që Kosova e shet rrymën vazhdimisht duke shkaktuar mungesë të rreme në treg ndërsa e paguan më shtrenjtë kur përballet me protesta apo paralajmërim të tyre. Kryetari i Bordit të ZRrE është i pasinqertë dhe mashtrues kur sajon arsyetime për shtrenjtim të rrymës dhe e favorizon krimin e organizuar në veri duke ua paguar rrymën e shpenzuar pa asnjë kriter, pa asnjë kufizim dhe pa asnjë reduktim”.

Ndërsa sipas tyre ekzekutivi po mundohet që të largoj përgjegjësinë nga kjo pjesë.

“Qeveria e Kosovës, përmes ministrave krejtësisht të padijshëm, përpiqet të heq përgjegjësinë nga kjo ngritje e çmimit të rrymës me arsyetimin se ZRRE është institucion i pavarur ndonëse nuk ka lënë vend pa i futur hundët dhe pa ushtruar ndikim”.

Çmimi i energjisë elektrike është rritur për 14 për qind në Kosovë. Por, kjo shifër s’përbën lajm shqetësues për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Veri.

Rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vazhdojnë të mos paguajnë për energjie elektrike derisa për ta paguan Qeveria e Kosovës.

Madje, kriza energjetike asnjëherë nuk i preki katër komunat veriore.

Kjo pasi që borxhet për energjinë elektrike në këto komuna mbulohen nga operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), gjegjësisht nga Qeveria e Kosovës.

Katër komunat në Veri prapë nuk preken nga rritja e çmimit të rrymës – për banorët atje paguan shteti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore