Lajme

KMDLNj i cilëson të turpshme sjelljet ndaj Bajram Çerkinit dhe familjeve të të pagjeturve


Bajram Çerkini nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur”

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar pas fyerjeve që i janë bërë në rrjete sociale Bajram Çerkinit nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur”, duke kërkuar hetim për komentet e ulëta.

Bajram Çerkini, ditë më parë e ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ka përdorur çështjen e ndjeshme vetëm për vota.

“Kurti na takoi veç për vota”, ishte shprehur Çerkini.

KMDLNj ka kërkuar nga Policia e Kosovës të nis hetimet “për këto komente të ulëta dhe është i sigurt që Njësia për Hetime të Krimeve Kibernetike ka kapacitet të mjaftueshëm profesional ta bëjë këtë”.

“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes sanksionohet si vepër penale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet me lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes”, thuhet në reagim.

Në reagimin e KMDLNj thuhet se Bajram Çerkini është udhëheqës i një organizate që hulumton fatin e personave të pagjetur duke mos pushuar edhe një ditë të vetme në këtë aktivitet.

Bajram Çerkini nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur”

“Angazhimi Çerkinit është angazhim i sinqertë që buron nga solidariteti për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur pavarësisht përkatësisë nacionale, racës, gjinisë dhe statusit në shoqëri. Bajram Çerkini dhe familja e tij të vetmin gëzim e kanë sigurimin e informatave për fatin e më të dashurve të tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNJ.

Ndërkohë, në reagim theksohet se Bajram Çerkini, familja e tij dhe të gjitha familjet e personave të pagjetur nuk jetojnë për veten e tyre, por për të dashurit e tyre që janë të pagjetur e që në disa raste kthehen si mbetje mortore qoftë edhe të një pjese të vetme të trupit.

“Të shkruani se ‘çka huptë mos u gjetë’, në rastin konkret për djalin e Bajramit dhe fyerje tjera që nuk kanë të bëjnë me natyrën njerëzore, është përbuzje për vuajtjet dhe sakrificat e familjeve të të pagjeturve dhe të gjithë atyre që u sakrifikuan për një shtet ku liria e fjalës dhe liria e shprehjes paraqet vlerë themelore mbi të cilën ndërtohen të gjitha vlerat tjera”.

Sipas KMDLNJ-së, është i papranueshëm mos reagimi institucional dhe i shoqërisë për këtë “përbuzje të pamoralshme të vuajtjeve dhe sakrificave të të tjerëve në rastin konkret është mungesë e respektit elementarë për vuajtjen dhe dhimbjet e familjeve të të pagjeturve”.

Ndërkaq, lidhur me deklaratën e Çerkinit, ka reaguar edhe Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Hoti ka thënë se kjo çështje nuk duhet përdoret për pikë politike dhe që padrejtësia për të pagjeturit nuk mund t’i faturohet Qeverisë.

“Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur nuk është një pozitë për ta afirmuar veten apo për të bërë avokatin e Kurtit, por e vërteta është më komplekse dhe më brutale. Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme”, shkruante Hoti në reagimin e tij në Facebook.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Hoti pati thënë se Serbia po vazhdon të përdorë këtë çështje për motive politike.

“Padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë. Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë”.

“Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore