Shqipëria

KLSH nis auditin ndaj institucioneve të emergjencave


Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka nisur të enjten e 5 gushtit auditin nëpër institucionet “e emergjencave”.

Shkak për këtë është bërë paraqitja e forcave apo punonjësve në vatrat e zjarrit pa pajimet dhe pajisjet bazë.

Fillimisht, kontrolli do të nisë nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile. Më pas, do të vijojë me strukturat e tjera përgjegjëse për emergjencat civile.

Institucioni i tretë, i cili do të auditohet, do të jetë Ministria e Mbrojtjes.

Më pas, në “lupën” e KLSH-së do të kalojnë edhe hallkat e qeverisjes vendore.

Arben Shehu, kreu i KLSH-së, ka urdhëruar auditimin e tenderimeve të viteve të fundit nga këto instanca për blerjen e pajisjeve të emergjencave.

Më herët, një kontroll i KLSH-së u ndërpre, pasi kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Haki Çako, nuk gjendej në ambientet e institucionit, në një kohë emergjencash ku Shqipëria ishte përfshirë nga zjarret me vatra në veri dhe në jug të vendit.

Pas publikimit të këtij lajmi, dy ishin reagimet e menjëhershme, ajo e kreut të KLSH-së, Arben Shehu dhe i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas rikthimit të zyrtarit të emergjencave në detyrë, ka vijuar kontrolli në ambientet e institucionit.

KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) paralajmëroi nisjen e një kontrolli në terren ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve.

Këto kontrolle kanë ardhur me urdhër të kryetarit Arben Shehu. Inspektorët e KLSH-së kanë zbritur në të gjitha qytetet problematike, përfshirë Vlorën dhe Fierin, ku situata paraqitet më e rëndë.

Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur nga përdorimi i pajisjeve, si dhe ana organizative.

Gjithashtu, KLSH-ja do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve, si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë, si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

Situata e zjarreve

Aktualisht në të gjithë vendin janë 6 vatra aktive.

Ky është bilanci i Ministrisë së Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate zyrtare ku ka bërë me dije gjendjen e vatrave të zjarrit.

Sipas ministrisë, dy vatra janë shuar plotësisht, ndërsa një vatër mbetet e izoluar.

Zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv. Vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.

I izoluar është zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, Bashkia Vau i Dejës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore