Shqipëria

KLP-ja shkarkon prokurorin e Sarandës, Sali Hasa


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka pranuar propozimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë duke shkarkuar nga detyra prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i akuzuar për korrupsion.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), do të mbyllte në janar të vitit 2022 hetimet paraprake për magjistratin.

Në përfundim të hetimeve paraprake, u morën të pandehur dhe u dërgua për gjykim Sali Hasa, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Përveç Hasës, të arrestuar kanë qenë edhe pesë persona të tjerë, me akuzën e korrupsionit, përcaktimi i rezultateve në garat sportive, si dhe ekspertim i rremë.

Përkatësisht Napolon Hodaj, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Emiljano Mirani, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Elsona Papa, e akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Markelian Alinani, i akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Julian Zera, i akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25 i Kodit Penal si dhe 305/b/1 të Kodit Penal.

Qerim Ruçi, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.

Bledar Hajredini, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.

Më 3 shtator të vitit 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi Hasën nga detyra.

Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2021 la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ndaj Hasёs u kërkua procedim penal pas hetimeve të nisura gushtin e 2020-ës, për një grup trafikantësh të lëndëve narkotike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore