Lajme

“Klimë kundër medias si sot s’ka pasur kurrë në historinë e Kosovës së pasluftës”


Ilustrim

Një ditë pas protestës së gazetarëve dhe pjesëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, për pezullimin arbitrar të certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, i cili për më shumë së një dekadë punoi edhe si gazetar, mendon se klima kundër medias dhe gazetarëve e shfaqur edhe nga përkrahësit e subjekteve politike, nuk ka ndodhur ndonjëherë në kohën e pluralizmit mediatik në Kosovë.

“Kujtojmë këtu që gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve ka shkuar aq larg sa burri i presidentes Vjosa Osmani i ka quajtur mediat ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha Zeneli për Albanian Post.

Zeneli ka theksuar se përdorimi i kësaj gjuhe nga pushtetarët e ka ushqyer me të madhe “urrejtjen ndaj gazetarëve dhe mediave”, duke krijuar një klimë krejtësisht të pafavorshme për punën e gazetarëve në terren.

“Për ta argumentuar që gjuha e politikanëve ndaj mediave dhe gazetarëve nuk ka qëllim kritikën e mirëfilltë e profesionale por vetëm tendencën për të diskredituar punën e tyre, mjafton të shihen shifrat  e ankesave në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës”, shtoi ai.

Alban Zeneli

“Nga të gjitha ankesat vetëm që nga themelimi i këtij institucionin, 5 për qind janë bërë nga politikanët. Ndërkohë që nëse politikanët do të kishin ndonjë kundërshti për punën profesionale të gazetarëve do të bënin më shumë ankesa në këtë organ”.

Tani sipas Zenelit, nga të gjitha pushtet e deritanishme qeveritare, media është demonizuar dhe është bërë ‘tabele qitjeje’, me qëllim që t’i diskreditojnë punë e gazetarëve dhe politikanët ta shesin të vërtetën e tyre.

“Gjuha e pushtetit aktual ndaj mediave ka filluar të ashpërsohet me ardhjen e tyre në pozita udhëheqëse dhe fillimin e raportimeve të gazetarëve për shkeljet ligjore”.

Ndërsa ish-gazetarja tjetër Alma Lama, mendon se Lëvizja Vetëvendosje “i ka përdorur mediat për të shuar çdo zë që lufton për shtetin demokratik dhe vlerat e tij”.

“Në emër të një puritanizmi të rremë, ka arritur t’i manipulojë, t’iu imponojë narrativen e saj, që kur e analizon shkon në kundërshtim me parimet e demokracisë”, theksoi Lama për AP.

Lama thotë se ka qenë “një luftëtare për lirinë e medias” sa e ushtronte profesionin e gazetares.

“Kam dhënë kontribut konkret duke bërë ligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, pa të cilin sot pushteti do të kushte mundësi të burgoste gazetarë dhe sërish dënoj çdo tendence autoritare që bëhet në emër të nacionalizmave primitive. Imazhi i Kosovës ka rënë përtokë dhe kjo është e dhimbshme, por beteja duhet të vazhdojë”.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, shton se “nuk ka gazetar në Kosovë që nuk e ka ditur se LV-ja linçon njerëz e kundërshtarë politikë” dhe që ka përdorur dhunën si mjet politikë.

“Linçimi i gazetarëve që po ndodh sot, për mua është i pritshëm, sepse janë i vetmi zë opozitar. Opozitën politike me ndihmën e mediave nëpër vite, por edhe me gabimet e saj, LV-ja e ka delegjitimuar me propagandë”.

Alma Lama

Ndryshe, revokimi i licencës për Klan Kosovën nga MINT dhe dorëzimi i kallëzimit penal ndaj televizionit në fjalë, ka ngjallur reagime të shumta dhe protesta të gazetarëve.

Ky vendim është kundërshtuar rreptë nga shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – të cilët përveç se kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë” edhe ia kanë kujtuar ekzekutivit kosovar se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.

Edhe një numër i madh i organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen lirisë së medieve dhe grupe të gazetarëve kanë dënuar përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të cenuar punën e medieve kosovare.

E përkundër kritikave se qeverisja e tij po shkon në anën e autoritarizmit, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se është i vetëdijshëm që “liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë”, porse sipas tij “demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare”.

“Demokracia vdes në errësirë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore