Protesta e gazetarëve dhe shoqërisë civile në sheshet kryesore të Prishtinës kundër një pushteti politik që çdo ditë e më shumë po e përshkallëzon sulmin ndaj tyre dhe po dështon të mbrojë lirinë dhe pluralizmin mediatik, ka marrë vëmendjen e gjigantit mediatik amerikan “Washington Post”, duke i dhënë jehonë rastit “Klan Kosova”.
Qindra gazetarë dhe pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile, këtë të hënë, për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kanë protestuar në mënyrë paqësore e në shenjë revolte për pezullimin arbitrar të certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
“Protestuesit kanë thënë se ishte një veprim me ‘motive politike’ i ndërmarrë nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti. Kjo ishte mbyllja e parë e një medie që nga fundi i luftës së Kosovës 1998-1999, thanë ata, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej ‘Demokracia vdes në errësirë'”, shkruan një ndër mediet më të fuqishme në botë.
Protesta ka filluar në ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe ka pasur për qëllim kundërshtimin e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të mbyllur në mënyrë të paprecedentë televizionin më të madh privat në një vend që paraqitet si “demokracia më e zhvilluar” në rajon dhe që ruan ende një peizazh mediatik të rrallë.
Pothuajse të gjitha stacionet private televizive në vend kanë treguar solidaritetin e tyre me kolegët nga “Klan Kosova”, duke transmetuar një mesazh në një sfond të zi me shprehjen “Demokracia vdes në errësirë”, që në vitin 2017 ishte bërë motoja zyrtare e gjigantit mediatik amerikan.
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi të premten se kishte refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit dhe për më tepër, ministria ka dorëzuar edhe kallëzim penal kundër televizionit.
Arsyetimi i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) për pezullimin e certifikatës së biznesit, ka qenë se në dokumentet e regjistrimit të kompanisë në fjalë, qytetet e Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, të shkruara gjithashtu në gjuhën serbe, gjë që në fakt përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës.
Ky vendim është kundërshtuar rreptë nga shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – të cilët përveç se kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë” edhe ia kanë kujtuar ekzekutivit kosovar se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.
Edhe një numër i madh i organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen lirisë së medieve dhe grupe të gazetarëve kanë dënuar përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të cenuar punën e medieve kosovare, sepse vetëm qeveritë e shtrëngimit (Coercive Power) përpiqen të ndërtojnë kredibilitet përmes ndikimit shtrëngues.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, refuzimi i ankesës së televizionit për rikthimin e licencës së operimit, përveç se është tregues se me Kosovën udhëheq një “qeveri e pamëshirshme”, vendimi është “qartësisht një paralajmërim për mediat e tjera të pavarura”.
E përkundër kritikave se qeverisja e tij po shkon në anën e autoritarizmit, kryeministri Kurti ka njoftuar se është i vetëdijshëm që “liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë”, porse sipas tij “demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare”.
Derisa televizionit “Klan Kosova” po i ecën koha dhe mund të detyrohet të ndalojë transmetimin së shpejti, të njëjtët kanë paralajmëruar se do të ushtrojnë të drejtën ligjore për të kërkuar anulimin e “vendimit të kundërligjshëm” dhe “do prezantojë të gjitha provat dhe shkeljet e njëpasnjëshme të MINT-it dhe ARBK-së”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Mesazhi i Kurtit pas fitores ndaj Qipros: Nga një gol për secilin gol të pranuar kundër Rumanisë, një më shumë për ata që besuan
-
Zgjedhjet në SHBA | Ben-Meir: Harrisi s’do të ndryshojë qasjen rreth dialogut – Trumpi do të ndikohet nga pikëpamjet e Putinit
-
Ushtarët amerikanë të KFOR-it patrullojnë në Leposaviq
-
Kilaj kërkon leje nga Gjykata Speciale që t’i kalojë pushimet në Shqipëri
Lajmet kryesore
-
Kolegji Zgjedhor ‘rrëzon’ opozitën, Tavos i hapet rruga e betimit
-
Arrest shtëpie për kryebashkiakun e Tropojës dhe zv.kryetarin, SPAK: Shkelën ligjin për ndërtimin e 2 rrugëve
-
Hapa të kujdesshëm nga Kievi dhe Moska për planin e paqes të Scholz, por kancelari kritikohet brenda vendit
-
Zgjedhjet në SHBA | Ben-Meir: Harrisi s’do të ndryshojë qasjen rreth dialogut – Trumpi do të ndikohet nga pikëpamjet e Putinit